E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, PS-PD "luftë" për deputetin e tetë

Ajo çfarë është cilësuar mjaft problematike ka qenë ndalesa dhe vonesat e krijuara nga komisionet e numërimit


ELBASAN - Gara më e fortë po bëhet në Elbasan, ku edhe numërimi ka vazhduar me shumë ngadalësi. Vëmendja është përqendruar në KZAZ nr.12 që administron 97 qendra votimi të qytetit Elbasan.


Për shkak të parregullsive teknike, kjo KZAZ ka lënë mënjanë kutitë me numër 2321 dhe 2316/1 për të cilat nuk është marrë ende një vendim. Sipas komisionerit rajonal të zgjedhjeve, Dhimitër Zografi, këto kuti do të merren në shqyrtimin nga KZAZ dhe vetëm nëse nuk gjendet konsensus, do të përcillen për në KQZ-në, në Tiranë.


Kutitë kanë mangësi të tilla, si: vendosja e shenjës për subjektin jo në vendin e duhur, mungesa e numrave të kartave të identitetit apo pasaportave etj. Votat e këtyre kutive nuk janë llogaritur në rezultatin e përkohshëm.


Në orët e para të mëngjesit në këtë qendër Partia Socialiste udhëhiqte me mbi 1000 vota. Por rezultati filloi të përmbysej gjatë ditës.


Sipas burimeve nga e djathta, deri në mbrëmje kishin mbetur pa u numëruar kutitë për qendrat e votimit brenda në qytet që cilësohen si bastione të tyre, pasi ka përfunduar numërimi i kutive të zonave periferike të qytetit që konsiderohen si përkrahës të së majtës. Ndërsa PS-ja shpreson në thellimin e rezultatit. Gjatë pasdites dhe orëve të para të mbrëmjes PD-ja ka qenë fituese në mjaft qendra votimi.


PD-ja ka pasur rezultate surprizë në disa zona që kanë qenë bastione të së majtës, si në Belësh dhe disa fshatra të Dumresë, në Peqin etj, ndërkohë që rezultat pozitiv ka pasur PS në bastione të njohura të PD-së. Gara në Elbasan ka marrë vëmendje mjaft të madhe, sepse diskutohet mandati i një deputeti të tetë për të dy kahet politike.


Ajo çfarë është cilësuar mjaft problematike ka qenë ndalesa dhe vonesat e krijuara nga komisionet e numërimit. Ende nuk dihet nëse procesi i numërimit do të përfundojë apo jo deri në mëngjesin e 01 korrikut.


I parafundit që e ka mbyllur procesin e numërimit ka qenë Librazhdi ku PS-ja sërish ka pasur një epërsi votash mbi një mijë të tilla. Kështu, në përfundim PD-ja ka marrë 10656, ndërsa PS-ja 12514 vota, ndërsa LSI 654 vota.


Në këtë KZAZ nuk ka pasur probleme të ndjeshme, por nuk kanë munguar edhe acarimet. Gjithsesi, në fund rezultati është përcaktues për PS-në duke vazhduar epërsinë historike të kësaj zone majtas. B.N.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›