E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i vendit kandidat dhe debati politik

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti ka bërë me dije se vendet e bashkimit Europian mbështesin procesin e zgjerimit të aleancës. Por nga ana tjetër, shefi i diplomacisë shqiptare ka vënë theksin në faktin se miratimi i tre ligjeve në parlament do të bëjë të mundur hapjen e dritës jeshile për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Këto qëndrime ministri Panariti i bëri me dije gjatë seancës së sotme në Komisionin Parlamentare të Integrimit.
Sipas tij, prioritetet kyçe për integrimin janë zgjedhjet e ardhshme, pavarësia e institucioneve, kryesisht të drejtësisë edhe vazhdimi i luftës kundër korrupsionit.
“KE ka vlerësuar progresin politik, reformat në gjyqësor, luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. KE kërkon miratimin e tre ligjeve që Shqipëria të marrë statusin e plotë të Bashkimit Europian. Çelja e negociatave fillon me përmbushjen e prioriteteve kyçe të Bashkimit Evropian.  Institucionet e BE kërkojnë angazhim konkret të klasës sonë politike dhe tre ligjet hapin dritën jeshile për marrjen e statusit të BE nga Shqipëria. Vendimi i BE varet nga plotësimi i tre detyrave që na ka vendosur Komisioni Evropian. Në takimet me zyrtarët e lartë të BE-së ata kanë dhënë mbështetje për Shqipërinë, ndërkohë që do të pritet edhe raporti i KE-së”, vuri në dukje Panariti. 
Njëkohësisht, ministri sqaroi dhe lidhur me deklaratat e përcjella nga ana e Kryeministrit, të cilat kanë sjellë jo pak reagime. Sipas Panaritit, deklaratat e Kryeministrit Berisha janë në kontekstin historik. Por nga ana tjetër anëtarët e opozitës në këtë komision kërkuan nga ministri Panariti vlerësimin që ka secili nga vendet e BE dhe votën që do të japin për statusin. Në vlerësimin e të majtëve, ka vende të Bashkimit Europian që janë pro, por ka edhe skeptike që po e shqyrtojnë, votën siç është Holanda.
Ndalur në këtë pretendim,  Ministri i Jashtëm ka argumentuar se nuk mund të ndajmë vendet e BE  në tre grupime për statusin e Shqipërisë. Megjithatë sipas tij, qëndrimi final i Holandës do të jepet më 11 dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›