E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi kandidat, Shqipëria 11 ditë kohë për të plotësuar 3 kushtet e mbetura

Fatjona Mejdini

Reforma parlamentare, ligji i Gjykatës së Lartë dhe heqja e imunitetit janë ende pezull

Detaje

Raporti: Dokumenti paralajmërues për statusin e vendit kandidat është progres raporti që KE-ja harton në mënyrë të përvitshme për secilin nga vendet që kërkon integrimin në BE.

Tetori: Brenda datës 10 tetor të këtij viti Shqipëria pritet të marrë përgjigjen në lidhje me statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Bilanci: Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë dy vendet e vetme në Ballkan që ende nuk kanë avancuar në marrëdhëniet e tyre me BE-në.

Përvjetori: Marrja e statusit të vendit kandidat këtë vit do të kishte një simbolikë të veçantë për Shqipërinë, nisur nga festimet për 100- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Fatjona Mejdini

Shqipëria ka 11 ditë kohë për të përmbushur tre kushte të rëndësishme që Komisioni Europian i kërkon në këmbim të statusit të vendit kandidat në BE këtë tetor. Ky ishte paralajmërimi që bëri dje ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një interviste televizive. Sipas saj, kompletimi i reformës parlamentare, heqja e imunitetit dhe ligji për Gjykatën e Lartë janë tre kushtet që kërkohen për të pasur shanse të mira për këtë status. Nga ana tjetër ajo deklaroi se mazhoranca nuk kishte ndërmend të lidhte çështjen e heqjes së imunitetit me reformën që kërkonte opozita të bënte në sistemin e drejtësisë. Por nisur nga ky qëndrim dhe pakënaqësinë e opozitës nga ky proces, miratimi i tre ligjeve që kërkojnë 84 vota në Kuvend për 11 ditë duket si një mision i pamundur. Nisur nga kjo, Shqipëria pritet të ketë shanse të pakta për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE edhe këtë vit.

Kushtet

Një nga kushtet më kryesore në marrjen e statusit të vendit kandidat është kompletimi i reformës parlamentare, proces i nisur rreth 10 muaj më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i lënë përgjysmë për shkak të mos gjetjes së konsensusit mes demokratëve dhe socialistëve. I vendosur si kusht më vete në listën e 12 prioriteteve, reforma parlamentare nuk arriti të përmbushej dot nga partitë politike shqiptare, ndonëse përpjekjeve të mëdha dhe ngritjes së komisioneve të posaçme. Mospërmbushja e kësaj kërkese është evidentuar nga të gjithë përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian. Një tjetër nismë, e cila kërkon miratim në kuadër të përmbushjes së kritereve të statusit është dhe miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Ky ligj vjen si domosdoshmëri për tu miratuar, nisur nga kërkesa e qartë e KE-së në rekomandime, se Kuvendi shqiptar duhet të gjejë konsensus për të miratuar ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Në këtë grupim ligjesh futet drafti i ri për administratën publike, i cili gjithashtu nuk ka gjetur konsensusin e palëve për tu miratuar me 84 vota. Çështja tjetër që po diskutohet si kusht i tretë në marrjen e statusit kandidat është heqja e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në vend. Pavarësisht se heqja e imunitetit nuk qëndron si pikë e vetme në renditjen e 12 prioriteteve të KE-së, ky gjest çon pikë drejt përmbushjes së rekomandimit për luftë ndaj korrupsionit.

Parashikimet

Me minimalisht tre kushte të paplotësuara dhe me marrëveshjen e nëntorit të vitit 2011 të përfunduar, Shqipëria duket se do të hasë vështirësi të shumta në kuadër të ambicies për të marrë statusin e vendit kandidat këtë tetor. Ky parashikim përforcohet dhe më tej në kushtet kur palët politike ndodhen sot të ndarë si përherë këto vitet e fundit në lidhje me qëndrimet e tyre për kryerjen e reformave. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Komisionit Europian nuk duket se kanë ndërmend të lëshojnë pe në vlerësimin e tyre ndaj Shqipërisë. Kjo u bë e qartë dy ditë më parë gjatë një intervistë të Peter Stanos, zëdhënësit të komisionerit për Zgjerim në KE, Stefan Fyles. Sipas tij, Shqipëria do të arrijë ta marrë statusin e vendit kandidat vetëm në momentin që përmbush 12 prioritet e vendosura nga KE-ja. Ndonëse zëdhënësi i Fyles deklaroi se përgjigjja për statusin e vendit kandidat do të vinte vetëm në muajin tetor, ai theksoi se shqiptarët e kishin të qartë se sa kishin punuar politikanët e tyre në kuadër të përmbushjes së detyrimeve që vijnë nga kjo kërkesë.

I vendosur si kusht më vete në listën e 12 prioriteteve, reforma parlamentare nuk arriti të përmbushej dot.

Shqipëria duket se do të hasë vështirësi të shumta në kuadër të ambicies për të marrë statusin e vendit kandidat këtë tetor.

Statusi kandidat, Shqipëria 11 ditë kohë për të plotësuar 3 kushtet e mbetura burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›