E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit takon drejtuesit e FRD-së, AK-së dhe LSI-së

Gazeta Shqip

Bisedat

Topi dhe Spahiu diskutojnë me Rikerin mbi mungesën e demokracisë dhe korrupsionin në vend

Dy partitë e krijuara rishtazi në vend, përkatësisht Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi patën rastin të shprehin qëllimin e krijimit dhe vizionin e tyre tek Zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Filip Riker. Kështu, gjatë pasdites së djeshme, Riker zhvilloi takime zyrtare me drejtuesit e këtyre forcave politike, të cilat i shprehën dhe shqetësimet e tyre në lidhje me reduktimin e hapësirës demokratike në vend. Një tjetër takim përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit zhvilloi dhe me kreun e LSI-së, Ilir Meta, përgjatë të cilit biseda u përqendrua tek reformat që duhet të kryente vendi në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat.

FRD

Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, i shoqëruar dhe nga deputeti i kësaj force politike, Gazmend Oketa, zhvilluan pasditen e djeshme një takim me Zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, z.Filip Riker. Sipas njoftimit për shtyp, gjatë këtij takimi palët diskutuan rreth situatës politike, gjendjen e institucioneve në vend dhe situatën në rajon. Në takim u fol gjithashtu edhe për nivelin e demokracisë në Shqipëri dhe Riker u njoh me qëndrimin publik të FRD-së, se hapësirat demokratike në vend po bëhen gjithnjë e më të ngushta. Nga ana tjetër, grupi përfaqësues i FRD-së e njohu Rikerin me qëllimin e formimit dhe të konsolidimit të kësaj force, si një parti me orientim të qartë euro-atlantik, që do shërbejë si një forcë konstruktive në shërbim të demokracisë funksionale, mirëqenies së shqiptarëve dhe integrimit të vendit në BE. Nga ana e tij, Riker deklaroi se sheh si zhvillim pozitiv krijimin e forcave të reja politike, duke thënë se e vlerëson të drejtën e pjesëmarrjes së qytetarëve shqiptarë dhe përfaqësimin e tyre përmes partive politike.

AK

Po dje, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu zhvilloi një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Filip Riker. Në takim, Spahiu u shpreh mbi vizionin e ardhshëm të AK-së për çështjen shqiptare dhe rinovimin e klasës politike në tërësi. Pas 22 vitesh të përmbysjes së regjimit komunist, Aleanca Kuq e Zi hyn në zgjedhjet e ardhshme për të thyer establishmentin aktual dhe për të rrëzuar regjimin politik aktual, deklaroi Spahiu gjatë këtij takimi. Ai bëri të ditur Riker-it se Shqipëria është ndër vendet më të varfra në Europë, pasi ka qeverinë më të korruptuar, duke iu referuar indeksit të Transparency International.

LSI

Një takim përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Riker, zhvilloi dhe me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend, duke i kushtuar fokus të veçantë përshpejtimit të axhendës së reformave dhe përmbushjes së prioriteteve në funksion të integrimit europian të Shqipërisë. Theksi i takimit u vu tek domosdoshmëria e konsolidimit të pavarësisë së institucioneve, lufta kundër korrupsionit, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe tek marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Armët

Uzina: Riker zhvilloi dje një vizitë në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, Elbasan, për të parë nga afër procesin e demontimit të armëve.

Mesazhet

Riker: Kujdes institucionet dhe zgjedhjet e ardhshme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Kryeministrin Sali Berisha për dy nga problemet më delikate të vendit, që janë: pavarësia e institucioneve dhe zgjedhjet e pritshme parlamentare të vitit 2013. Ka qenë zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip Riker, i cili në ditën e parë të vizitës së tij treditore në Shqipëri ka dhënë këto mesazhe të forta pas një takimi prej një orë e tridhjetë minuta të zhvilluar me Kryeministrin shqiptar. Sipas tij, Uashingtoni zyrtar do ti ndjekë me shumë vëmendje jo vetëm zgjedhjet e ardhshme, por edhe funksionimin e institucioneve të pavarura në vend.

Zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit takon drejtuesit e FRD-së, AK-së dhe LSI-së burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›