E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi kandidat, klasa politike të plotësojë detyrimet e mbetura

03-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi apelon nga Elbasani


Ambasadori Sequi dhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi inauguron qendrën e paraburgimit e ndërtuar në ambientet e brendshme të Ish Kombinatit Metalurgjik. Një investim i Bashkimit Evropian prej 5 milionë euro, është në vijim të financimit të projekteve nga BE, për reformimin sistemit të drejtësisë Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Ettore Sequi i ka bërë sërish thirrje klasës politike të gjejë konsensusin në zgjidhjen e disa çështjeve të rëndësishme, për të plotësuar edhe pjesën tjetër të detyrave që i janë vënë vendit tonë si kusht për të marrë statusin e vendit kandidat. Gjatë një vizite në Elbasan, i shoqëruar nga Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ku mori pjesë në inaugurimin e qendrës së paraburgimit ndërtuar në ambientet e brendshme të Ish Kombinatit Metalurgjik, Sequi vlerësoi suksesin në reformën në drejtësi duke shprehur nevojën që kjo rrugë të ndiqet edhe realizimin e një sërë reformash të tjera. “Dëshiroj që me këtë rast të inkurajoj politikanët shqiptarë të përfundojnë reformat e nevojshme përpara publikimit të progres raportit. Dëshiroj të inkurajoj më tepër politikanët të ndërtojnë më tepër punën mbi atë frymë konsensusi dhe kompromisi që i kanë çuar ato të arrijnë sukses të rëndësishëm kohët e fundit”, tha Sequi. Duke u ndalur tek ndërtimi i qendrës së paraburgimit, Ambasadori tha se, BE ka akorduar një fond prej 5 milion eurosh nga taksapaguesit evropian, të cilët janë të pranishëm edhe në këtë përurim. “Vetëm gjatë viteve të fundit janë investuar në Shqipëri 60 milion euro në mënyrë që të përmirësohen kushtet e jetesës dhe trajtimit në vende të tilla si qendra paraburgimi, me anë të ndërtimeve të infrastrukturës dhe trajnimeve të ndryshme”, tha Sequi. Sipas tij, një komb nuk duhet gjykuar nga mënyra se si trajton qytetarët e tij më të njohur, por ata që janë më pak të njohur. “Kjo është arsyeja pse BE po investon kaq shumë në këtë sektor. Fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë prioritete kyçe për BE-në dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha ai. Mbështetja financiare e qendrave të paraburgimit është pjesë e mbështetjes që u jep BE, të gjitha përpjekjeve të Shqipërisë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Kjo qendër, vijoi Sequi, është me të vërtetë moderne, pasi përveç standardeve të larta të BE-së, e veçanta e saj është se janë ndjekur disa teknika të veçanta siç është teknika e energjisë elektrike. “Këto sisteme të reja për sa i përket efikasitetit të energjisë elektrike do të aplikohen edhe në projekte të tjera të financuara nga BE në zonat e Beratit, Fierit dhe Shkodrës, që në total arrijnë një vlerë prej 33 milion euro”, shtoi Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të bëjë të mundur që këto investime të jenë të qëndrueshme duke vënë në dispozicion fondet e duhura për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e këtyre qendrave, këto standarde duhet të vazhdojnë të jenë të njëjta edhe pas 4 apo 5 vjetësh. “Me anë të këtyre kontributeve BE e mbështet Shqipërinë, që të përmbush standardet e BE-së për demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut”, u shpreh Sequi. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi theksoi se për herë të parë në Shqipëri, por edhe në rajon ndërtohet një institucion paraburgimi me dy sisteme njëkohësisht ngrohje dhe ftohje. “Risia për këtë projekt është zbatimi për herë të parë në objekte të këtij lloji në Shqipëri i sistemeve alternative të furnizimit me energji të pastër, që është sistemi i paneleve diellorë së bashku me pompat e nxehtësisë të cilat mundësojnë uljen e kostos për ngrohje”, u shpreh ai. Sipas Halimit, ky institucion paraburgimi sjell jo vetëm standarde të larta për sa i përket kushteve, por sjell edhe një tjetër standard atë të kursimit të energjisë elektrike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›