E Diel, 1 Nëntor 2026

“Statusi i vendit kandidat në BE i merituar, por i vonuar”

03-10-2012 / Gazeta 55

Flet Ilir Meta, kryetari i LSI-së

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh të martën në një intervistë televizive se marrja e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria është e merituar, por e vonuar. 
“Është bërë një progres i rëndësishëm, janë hedhur hapa madhorë dhe mendoj se statusi është i merituar, megjithëse me vonesë”, u shpreh Meta.
“Hapja e negociatave është normale që të shoqërohet me disa kushte, të cilat do të kërkohen nga ana e KE dhe në këtë drejtim nuk do ta përjashtoja dhe rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme si një moment kyç për rikthimin e standardeve. Edhe në vende të tjera hapja e negociatave është shoqëruar me kushte të caktuara, që kërkojnë rritjen e standardeve”, tha Meta.
Sipas tij, “Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha detyrimet, pothuajse të gjitha prioritetet. Mbetet reforma parlamentare dhe formatimi i KQZ-së që mund të miratohet këto dy ditë, hartimi i ligjit të Gjykatës së Lartë, për përmbajtjen e draftit të të cilit nuk ka ndonjë vërejtje nga palët”.
Në lidhje me rastin e qarkut të Fierit, Meta u shpreh se, “bëhet fjalë për disa vendime gjykatash. Është një çështje komplekse. Rëndësi ka që palët të kenë vullnetin për të bërë një verifikim të plotë të vendimeve të deritanishme për të bërë një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje”.
Lidhur me procesin e privatizimit të Albpetrolit Meta tha se është karakterizuar nga transparenca.
“Procesi është zhvilluar me monitormin e mediave dhe opinionit publik”.
Në lidhje me përdorimin e të ardhurave që do të vijnë nga ky privatizim, Meta theksoi se, “këto të ardhura mund të menaxhohen në disa drejtime, që konsolidojnë financat publike, që i japin impulse të reja jetës ekonomike dhe sidomos në drejtimin që ndihmon punësimin”.
Për mandatin e Prokurores së Përgjithshme, Meta u shpreh se “çështja mund të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, por është një çështje jo në interesin tim, por në interesin e Presidentit”.
Sipas Metës, në marrëveshjen me PD-në nuk ka klauzolë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Meta theksoi se, “Kryeprokurri i ardhshëm duhet të jetë njeri me integritet dhe i provuar. Nuk është koha për eksperimente”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›