“Statusi për Shqipërinë, mesazh pozitiv për Ballkanin”

Ministri i Jashtëm Panariti takohet me krerët e shtetit të Qipros; Marcoullis - Omirou - Christofias
Në një vizitës zyrtare në Qipro ministri i Punëve të Jashtme Panariti u prit nga homologia qipriote, Erato Kozakou-Marcoullis. Në takim, Ministri Panariti shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite në Republikën e Qipros, në përgjigje të vizitës që ministrja Marcoullis zhvilloi në muajin korrik në Tiranë.
Kjo vizitë, vuri në dukje Panariti, bëhet në një moment shumë të rëndësishëm, në prag të publikimit të Progres Raportit të Komisionit Evropian dhe të rekomandimeve që ai do të japë lidhur me akordimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë gjatë vitit 2012, theksoi ministri Panariti, ka një rëndësi edhe më të madhe po të kihet parasysh fakti se ky vendim do të merret në prag të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ministri Panariti falënderoi angazhimin dhe mbështetjen që ministrja Marcoullis dhe vendi i saj, si mbajtës të Presidencës së radhës të BE-së, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ministri Panairi bëri një ekspoze të ecurisë së reformave kyçe, sipas Planit Kombëtar të Veprimit për zbatimin e 12 Prioriteteve të BE-së, duke u ndalur veçanërisht në ndryshimet që kanë ndodhur nga vizita e kaluar e ministres Marcoullis në Tiranë. Në këtë kuadër, ai vlerësoi si një zhvillim shumë të rëndësishëm miratimin me konsensus në Parlament të iniciativës ligjore për heqjen/kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve, si një hap shumë të rëndësishëm në plotësimin e 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Njëkohësisht ministri Panariti konfirmoi edhe njëherë angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të miratuar, së bashku me opozitën, reformën parlamentare dhe ligjin për funksionimin e Gjykatës së Lartë. Ministri Panariti theksoi se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformës në gjyqësor dhe administratën publike do të vazhdojnë të mbeten prioritare në agjendën e qeverisë. Për sa i përket vendimit lidhur me akordimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nga ana e BE-së, Ministri Panariti shprehu bindjen se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare do të vlerësojnë me objektivitet zhvillimet dhe arritjet pozitive që kanë ndodhur kohët e fundit në Shqipëri.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi zhvillimet në Ballkanin perëndimor, duke vënë në dukje rëndësinë që merr dhënia e një perspektive të qartë evropiane në stabilizimin dhe paqëtimin e këtij rajoni.
Më herët ministri Panariti u takua me krerët e shtetit të Qipros, kryetarin e Parlamentit qipriot, Yiannakis Omirou dhe Presidenti i Republikës së Qipros, Demetris Christofias. Më tej, ministri Panariti e njohu Presidentin Christofias me zhvillimet më të fundit në kuadrin e zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian që e kanë sjellë Shqipërinë shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat. Nga ana e tij Presidenti Christofias siguroi për vijimësinë e mbështetjes së vendit të tij në këtë drejtim.
Ndërsa Kryetari i Parlamentit qipriot, Yiannakis Omirou vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria kohët e fundit në kuadrin e reformave për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian dhe siguroi për mbështetjen qipriote në procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke filluar që nga intensifikimi i vizitave të ndërsjellat të niveleve të larta politike, por edhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar midis dy vendeve tona.