Statusi special-garancë për serbët e veriut

“Unë shoh vetëm një zgjidhje për veriun e Kosovës, e që është statusi special për veriun”, tha drejtori ekzekutiv i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vladimir Todoric në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, Statusi special do të ketë të bëjë pak me pakon e Ahtisaarit, por që do të rrisë zotërimin e Beogradit mbi atë pjesë.
Todoriq mendon se është mjaft e paqartë se cila do të jetë platforma përfundimtare e Serbisë për negociatat me Prishtinën. Kjo ngase, siç thotë ai, nga mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit u la të kuptohet se si mund të duket ajo platformë.
“Aty ministri i jashtëm i Serbisë, Mërkiq, paralajmëroi se Serbia do të jetë e hapur për të diskutuar çfarëdo teme përveç zhbërjes së strukturave të saja nga veriu i Kosovës. Mbetet të shihet se a do të jetë platforma në përputhje me këtë, por ky është një kapitull i ri në politikën e Serbisë karshi Kosovës”, tha ai.
Sa i takon procesit integrues në Bashkimin Evropian, si faktor kryesor, ai shoh një problem të darë me dy blloqe të shteteve. “Njëri bllok mbështet negociatat e Serbisë duke thënë se Serbia ka bërë mjaft; në anën tjetër është një grup shtetesh që nuk është kundër negociatave me Serbinë, por që ka frikën se nuk ekziston ndonjë instrument tjetër përveç Kosovës. Pra, ekziston frika se SHBA-të ia kanë lënë BE-së apo Gjermanisë në duar ‘një patate të nxehtë’ dhe se ky problem mund të zgjidhet vetëm me kushtëzimin e Serbisë-gjë që mund të funksionojë deri në një masë”. /Indeksonline/