E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Statuti, ndryshimet kanë vulosur humbjen e PS-së”

09/04/2010 Kryeministri Berisha premton votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme

Kryeministri Sali Berisha ka komentuar gjatë seancës së djeshme ndryshimet më të fundit të statutit të Partisë Socialiste, ndryshime që sipas tij vulosin humbjen e kësaj force politike në zgjedhje. Gjatë fjalës që ai mbajti në Parlament, foli kryesisht për rritjen ekonomike që ka pësuar vendi ynë, pavarësisht krizës në Evropë, duke premtuar mbajtjen e premtimeve nga Qeveria e tij për rrogat e nëpunësve të shtetit, pensioneve, si dhe premtimet për investimet në vend. “Nëpunësit e shtetit do të kenë rritjen e premtuar të rrogës. Do të ketë rritje edhe për pensionet e pensionistëve të fshatit dhe të qytetit, ashtu siç është premtuar. Kjo do të thotë që investimet do të vijojnë gjithashtu sipas premtimeve të Qeverisë. Pas bisedimeve që zhvillova gjatë vizitës në Kuvajt, mora mbështetjen për financimin prej tyre edhe të boshtit të jugut”, theksoi Berisha në fjalën e tij. Duke replikuar me kundërshtarët e tij politikë për çështjen e zgjedhjeve, ai u premtoi atyre që, siç u shpreh ai, do t’i nxjerrë nga kutitë. Berisha premtoi futjen në zgjedhjet e pas katër vjetëve të votimit me shenjat e gishtërinjve. “Ju jap fjalën time se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë më as kuti, as komisionerë dhe as fletë votimi. Për votim do të fus teknologjinë e fundit. Do të mund të mbani vetëm stilolapsa për të filmuar, për të cilët do t’ju furnizoj me bateri. Ju ndryshoni statutet, unë do të dixhitalizoj sistemin e votimit. Mos u mermi më me komisionerët tuaj, por me Sali Berishën, me kritikat ndaj Qeverisë”, u tha ai deputetëve të PS-së të pranishëm vetëm në pjesën e debatit jashtë rendit të ditës. Duke komentuar ndryshimet e fundit statutore që selia rozë votoi një ditë më parë, Berisha tha: “Dje keni vulosur humbjen e sukseseve të partisë tuaj në zgjedhje. Ju rroftë lideri juaj!” Por në përgjigje të fjalës së numrit një të ekzekutivit shqiptar reagoi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Ai e cilësoi fjalimin e Kryeministrit për ekonominë një tjetër shashkë për të tërhequr vëmendjen nga çështja kryesore e ditës, dhe një tjetër mashtrim të tijin ndaj qytetarëve. “Kryeministri Berisha po shmang vëmendjen nga debati kryesor, kriza politike. Z. Kryeministër nuk ka zgjidhje të krizës, as transparencën e zgjedhjeve. Pasi i vodhët votat me dru në ‘96-ën, me karta në 2009-ën, tani doni t’i vidhni përmes teknologjisë. Merrni fillimisht në konsideratë kërkesat e opozitës, pastaj diskutoni për modalitetet e zgjedhjeve”, tha Ruçi.

Vendimi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, thirri mbledhjen e Byrosë pas seancës parlamentare, për të ndëshkuar financiarisht ose me përjashtim nga punimet e Kuvendit deputetin e PS-së, Taulant Balla, për shpifje dhe trillime në fjalimin e tij. Balla akuzoi Qeverinë dhe Kryeministrin Berisha për vjedhje.

Topalli-Tahiri

Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, e ka quajtur të paaftë Kryetaren Topalli dhe i ka sugjeruar të transkriptojë fjalën e Kryeministrit gjatë këtyre 20 vjetëve dhe jo atë të Ballës. Në këmbim të kësaj, Topalli i kujtoi Tahirit rregulloren, e cila për sjellje të tilla e përjashton nga disa seanca parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›