E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemet e biznesit të vogël do të marrin zgjidhje

09/04/2010 Bashkëpunimi me prefekturën deri në eliminimin e punës në të zezë dhe konkurrencës së paligjshme

KORÇE- Për herë të parë, pas 20 vitesh demokraci, problemet e biznesit të vogël të qarkut Korçë janë hedhur mbi tavolinën e prefektit të këtij qarku, Andrea Mano. Problemet kanë qenë të shumta, duke filluar që nga informaliteti, i cili zë 50-60% të biznesit të vogël; peshëmatja, ku mjaft biznese abuzojnë me peshën, volumin dhe sasinë e mallit; cilësia e mallit, ku në mjaft produkte dhe mallra ushqimore vendoset data e prodhimit, por nuk vendoset ajo e skadencës, ndërsa dyshohet edhe për cilësinë e tyre; militantët, të cilët kanë biznese, por nuk paguajnë taksat, sepse favorizohen nga drejtuesit e institucioneve shtetërore, veçanërisht nga kryetarët e bashkive dhe komunave; mungesa e faturës së shoqërimit të mallit, ku në këto raste tregtarët e shumicës nuk i pajisin tregtarët e pakicës me dokumentin e shoqërimit të mallit, por me një dëftesë dore, e cila nuk vlen për asgjë, sepse nuk mund të konsiderohet dokument zyrtar; taksistët, ku të licencuarit ende nuk punojnë me taksimetra, ndërsa lejohet që ky lloj aktiviteti të kryhet edhe nga taksistët e palicencuar; abuzimi me biletën e udhëtarëve, të cilët gjatë kohëve të fundit kanë ngritur çmimin e biletave, ndërsa kjo ngritje çmimi nuk pasqyrohet te taksat dhe tatimet, sepse drejtuesit e automjeteve nuk i pajisin udhëtarët me bileta; çmimi i lartë i kasave regjistruese elektronike, lejimi i shitësve ambulantë që tregtojnë me vend e pa vend etj.

Kërkesat e biznesit të vogël

Shqetësimet dhe kërkesat e biznesit të vogël u bënë të njohura për prefektin e qarkut Korçë, Andrea Mano, nga kryetari i kësaj shoqate që mbulon këtë rajon, Albert Nasto dhe nga kryetarët e shoqatave të biznesit të vogël të rretheve Korçë, Pogradec, Bilisht, Maliq dhe Kolonjë. Sipas tyre, informaliteti, konkurrenca e pandershme, favorizimi i militantëve, abuzimi me peshën dhe cilësinë e mallit, po konkurrojnë në mënyrë të padenjë tregtarët e ndershëm, të cilët paguajnë rregullisht të gjithë detyrimet financiare ndaj shtetit dhe në të njëjtën kohë bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur një biznes të parametrave bashkëkohorë. Nëse informaliteti nuk do të luftohet me zero tolerancë, atëherë biznesmenëve të ndershëm u duhet të dalin në rrugë për shkak të falimentit që po i kërcënon çdo ditë e më shumë. Gjatë këtij takimi biznesi i vogël ka preferuar të hapë “barkun” për gjitha problemet që e kanë shqetësuar që nga vitet ’90 e deri më sot.

Prefekti

Megjithatë, takimi i ditës së enjte mes institucionit të prefektit dhe shoqatave të biznesit të vogël që mbulojnë gjithë qarkun e Korçës ishte kërkuar nga vetë prefekti i këtij qarku, Andrea Mano, me qëllim që shqetësimeve të biznesit të vogël t’u jepet një zgjidhje përfundimtare dhe e përhershme konform rregullave dhe ligjeve në fuqi. “Për t’ia mbërritur këtij qëllimi, tha Mano, institucionet shtetërore që kanë lidhje me biznesin e vogël do të bashkëpunojnë me shoqatat e biznesit të vogël dhe së bashku do të evidentojnë përfundimisht se sa është përqindja reale e informalitetit dhe e gjithë shqetësimeve të tjera të ngritura, qoftë për abuzimet me peshëmatjen, cilësinë e mallit, faturën e shoqërimit të mallit etj”. “Ky bashkërendim i punës do të bëjë të mundur që të mos ketë akuza në përgjithësi ndaj biznesit, të cilat nuk të çojnë askund, nënvizoi Mano, por ndëshkim të të gjitha rasteve konkrete”. Për të gjitha këto arsye u ra dakord që mes institucionit të prefektit të qarkut Korçë dhe shoqatave të biznesit të ketë takime periodike deri në eliminimin përfundimtar të punës në të zezë. Në përfundim të fjalës së tij prefekti Mano siguroi biznesmenët se ndaj informalitetit do të ketë zero tolerancë, madje premtoi se rajoni i Korçës do të jetë një rajon model edhe në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›