Stefan Fule, vizitë në Tiranë një ditë pas vendimit të Edvin Ramës për bojkotimin ose jo të Parlamentit
Komisioneri i Zgjerimit vjen më 19 mars në vendin tonë
Komisari i BE për Zgjerim, Stefan Fule, do të vizitojë Shqipërinë më 19 mars. Data e caktuar është një ditë pasi parlamenti do të mbajë debatin lidhur me dy nismat e opozitës për nisjen e hetimit parlamentar, por edhe ndryshimin e ligjit organik për komisionet hetimore. Edvini ndryshoi mendje dy ditë më përpara, kur kërkoi në konferencën e kryetarëve që të shtyhej ngritja e komisionit hetimor, megjithatë komisionerit Fule, ai duhet t’i thotë hapur e qartë me 19 mars nëse do të vijojë bojkotin apo do të ndihmojë shqiptarët në rrugën e reformave.
Në njoftimet mediatike të ditës thuhet se gjatë vizitës në Tiranë, komisioneri Fule pritet të takohet me krerët më të lartë të shtetit dhe me kreun e opozitës.
“Nëpërmjet një deklarate i kam inkurajuar partitë politike, qeverinë dhe opozitën që ta zgjidhin çështjen e dialogut politik, ashtu që procesi politik të bëhet në kuvend e jo në rrugë”, ka deklaruar Fule.
Ai po ashtu sqaroi se “me autoritetet shqiptare jemi duke e diskutuar konkretisht kohën e vizitës sime. Ata e dinë që dua ta vizitojë Shqipërinë. Nëse kjo çështje do të jetë zgjidhur, atëherë do të jetë shumë inkurajuese për vizitën time, por nëse jo, kjo do të jetë një nga pikat kryesore e diskutimeve me qeverinë dhe opozitën”, pohoi Fule, duke iu referuar bllokadës politike në Shqipëri