Stefan Rohner, Barcelonë-Tiranë me biçikletë
Drejtuesit e "Projekt 5.6" në Tiranë, që përgatit fotografë, njoftoi dje se Stefan Rohner, një fotograf gjerman me banim në Ibiza, Spanjë, është nisur me biçikletë për në Tiranë. Në javën e parë të shtatorit ai do të drejtojë një workshop për studentët e "Projekt 5.6" dhe do të bëjë një prezantim për publikun shqiptar të punëve të tij.
Ndoshta do jenë edhe punët e udhëtimit të tij jo të zakontë, të cilin ai e përshkruan me komente dhe foto në faqen e vet elektronike. Ja çfarë shkruan ai në ditar, më 4 gusht:
Narbonne - Béziers - Agde - Sete - La Grande Motte - Arles: 187.14km 8:03h
Gjithmonë ka diçka për t'u ankuar, sot bën shumë vapë!
Duhet të blej një mbrojtëse dielli. Kësaj here, era është në anën time, vetëm orën e fundit ishte e fortë dhe më rrihte fytyrën... Të shohim a do të gjej tani ushqim të mirë!
Më 1 gusht ai ka njoftuar se Shkolla Shqiptare e Fotografisë e ka ftuar në Tiranë për të mbajtur një workshop. "Vendosa të shkoj në Tiranë me biçikletë", - thotë ai. "Nga Barcelona në Tiranë janë afro 2300 km. Barcelona - Perpinjan - Monpelje - Arl - Kanë - Gjenovë - La Specia - Luka - Firence - Peruxha - Peskara - Foxha - Bari...anijes për në Dubrovnik - pastaj Tiranë."
Në javën e parë të shtatorit, kur të ketë mbërritur, Rohner do të tregojë më shumë.
Alpion prezanton shqip "Sikur të vdekurit të dëgjonin"
Gëzim Alpion, kërkues sociolog në Universitetin e Birmingamit, autori i njohur për veprën "Nënë Tereza: e shenjtë apo e famshme", më 14 gusht do të jetë në Tiranë. Në bashkëpunim me Qendrën Kulturore "Arbnori" në Hotel Tirana, ai paraqet në gjuhën shqipe dramën e tij "Sikur të vdekurit të dëgjonin" (If Only the Dead Could Listen). Historia e Lekë Trimit, një shqiptari nga Kosova me një të kaluar mbi supe dhe që bie në kurthet e ligjit, zbulohet në një vend të huaj, të cilin ai e ka parë si shpëtimin. Ka kërkuar në Angli azil politik. Për herë të fundit është vënë në skenë nga Dreamscape Theatre Company në Londër, me regji të Marcus Fernando-s, në mars 2008