Nuk treguan për hashashin, pranga kryetarit të komunës e kryeplakut
PËRMET- Kultivimi i hashashit në zonat ku drejtojnë ka çuar në pranga një kryetar komune dhe një kryeplak fshati, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzimit të krimit.
Sipas policisë së Gjirokastrës arrestimi i tyre është bërë në kuadër të një operacioni antikanabis të koduar "Era e Jugut".
"Kryetari i komunës Frashër, Tomor Kotrorri dhe kryeplaku i fshatit Miçan, Faslli Canka u ndaluan nga policia pasi në këtë komunë gjatë kontrollit u asgjësuan rreth 1114 rrënjë bime narkotike Kanabis Sativa"- thanë burimet e policisë.
Si rezultat i këtij operacioni, i cili ka vazhduar dhe gjatë orëve të para të ditës së sotme u bë e mundur që në fshatin Miçan të Komunës Frashër të rrethit Përmet, në afërsi të banesave dhe rrethinave të këtij fshati, të evidentohen 14 parcela të kultivuara me bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa.
Në këto parcela numri i bimëve të kultivuara varionte nga 40 deri në 300 bimë dhe bimët varionin nga 1 metër deri në 4 metra të larta.
Pas kryerjes se veprimeve proceduriale bimët janë asgjësuar me anë të djegies.
Në bazë të ligjit nr 79 75, "Për Barnat narkotike dhe lëndët psikotrope", ku neni 10/1, detyron drejtuesit vendore të japë informacion për kultivim të këtyre bimëve në territoret që ata mbulojnë, ka rezultuar se kryetari i Komunës Frashër, Tomor Kotrorri, si dhe kryeplaku i fshatit Miçan, Faslli Canka, nuk kanë dhënë asnjë informacion për kultivimin e këtyre bimëve narkotike të mbjella në vendin e sipërpërmendur, pavarësisht se nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër u është kërkuar informacion për verifikimin e këtij territori.
Ndërkohë që kryetari i komunës akuzohet për moskallëzim krimi, kryeplaku akuzohet edhe për "Kultivim të bimëve narkotike", pasi në momentin e konstatimit të këtyre parcelave nga ana e policisë, në afërsi të tyre është gjetur vetë Faslli Canka.