E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët pa viza, BE: Qeveria s'përmbushi reformat

Presidenca suedeze argumenton arsyen se pse Shqipëria nuk përfitoi nga vizat. "Liberalizimi nuk është dhuratë"


TIRANË - Arsyeja pse nga vendet e Ballkanit, shqiptarët mbetën jashtë liberalizimit të vizave, është vetëm një: moskryerja e reformave të duhura nga qeveria shqiptare. Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian e ka thënë qartë dje në një intervistë për "BBC"-në, përmes zëvendësshefit të Departamentit Suedez për BE-në, Lars Wahlund.


I pyetur konkretisht për tre vendet e Ballkanit, Kosova, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, zëvendësshefi i Departamentit Suedez për BE-në përqendrohet kryesisht tek dy vendet e fundit, duke sqaruar njëherë e mirë se faji duhet të vihet aty ku duhet.


"Të marr Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, për shembull. Atyre u janë dhënë të njëjtat kritere kryesore, e njëjta "hartë e rrugës", sikurse edhe Serbisë, Malit të Zi dhe të tjerëve. Ata do të duhej të bënin këto reforma. Dhe ekspertët e komisionit ishin atje dhe ata nuk i kishin kryer.


Ne kemi pasur takime të gjata me udhëheqësit e Bosnjës dhe u thamë se këto janë reformat që duhet të bëni e pastaj dyert janë të hapura për ju. Do të merrni liberalizimin e vizave kur të bëni këto reforma. Mungesa e reformave nga politikanët vendas nuk është diçka që BE-ja po provon t'i izolojë ata. Liberalizimin e vizave nuk e merrni si dhuratë.


Ajo ka të bëjë me mbrojtjen e rajonit të Schengenit, prandaj duhet të përmbushni kriteret e Schengenit",- tha ai, duke shtuar ndër të tjera se, qytetarët e këtyre vendeve e fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza, vetëm kur i kanë bindur ministrat e brendshëm të Evropës se kufijtë janë të sigurt dhe se ata mund t'u besojnë këtyre vendeve se mund të merremi me çështjet e migrimit, të pasaportave etj.


Pak kohë më parë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë iu hap drita jeshile për të lëvizur pa viza në Europë, në fillim të vitit që vjen. Ndërkohë që Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina nuk u përfshinë në këtë vendim, pikërisht për shkak të mospërmbushjes së reformave.


Po dje, gjatë intervistës, zëvendësshefi i Departamentit Suedez për BE-në u pyet nëse ekziston mundësia që gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, një nga vendet që ka përfituar nga liberalizimi i vizave të bëhet anëtare BE-së. "Jo, jo anëtar, sepse ky është një proces më i vonshëm.


Por, nëse shikoni vendet, atëherë kemi aplikimin e Mali të Zi, që i është dërguar Komisionit Evropian dhe po punohet rreth saj, megjithëse nuk e di nëse kjo do të prezantohet gjatë presidencës suedeze.


Pastaj është aplikimi i Shqipërisë, me të cilin shpresojmë se mund të merremi gjatë vjeshtës, për ta dërguar tek komisioni, për të filluar shqyrtimin dhe pastaj komisioni do të fillojë një vlerësim më të hollësishëm të vendit.


Pastaj, kur Serbia t'i ketë zgjidhur problemet, sepse të gjithë ne e dimë se ata janë shumë mirë të përgatitur, mund të ecë shpejt në procesin e BE-së. Në vazhdim, është ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e cila është tashmë vend kandidat dhe ka 8 kritere kryesore, të cilat kur të përmbushen, ne shpresojmë se komisioni do t'i rekomandojë këshillit që të fillojë negociatat.


Në këtë rast kemi të ashtuquajturën çështje të emrit. Ne nuk e shohim këtë si kërkesë për të filluar negociatat, por në të njëjtën kohë është fakt se për të filluar negociatat, na duhet konsensusi brenda BE-së", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›