Stefanoviç: Dialogu Kosovë-Serbi, i domosdoshëm
Kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën Borisllav Stefanoviç e ka cilësuar dialogun mes dy vendeve si mjaft të domosdoshëm. Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Stefanoviç e ka cilësuar si të gabuar përpjekjet e Prishtinës për tu tërhequr nga bisedimet.
“Përpjekja e Prishtinës që të tërhiqet nga dialogu, për shkak se është e vetëdijshme që edhe veten, edhe procesin e ka sjellë në pikëpyetje me veprimet e saj që nga 25 korriku, mendoj se nuk është e mirë. Mendoj se të gjithë duhet t`i ulin tensionet dhe sa më parë t`i kthehemi tavolinës së bisedimeve. Ne nuk kemi dilema, ne e dimë se dialogu është i domosdoshëm", ka thënë Stefanoviç.
I pyetur nëse pala serbe është e gatshme të tërhiqet nëse Prishtina nuk do të diskutojë, Stefanoviç ka thënë se "ky nuk është vendim i tij".
Ndërkohë Stefanoviç ka reaguar edhe në lidhje me deklaratat e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi se ai dhe ministri për Kosovën në qeverinë serbe Bogdanoviç mund të arrestohen pasi kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.
"Kjo nuk i kontribuon askujt. Nuk jemi këtu për të provokuar dikë, po bëjmë një punë serioze, në kushte të vështira, ka shumë nervozë... Është më mirë që këtë krizë ta përfundojmë në mënyrë të qetë, me kokë të ftohtë dhe të nisim dialogun" theksoi Stefanoviç.