Stefanoviç: Serbia s`është e detyruar të zbatojë marrëveshjet

Qeveria serbe nuk është e detyruar që të zbatojë marrëveshjet e arritura me Prishtinën. Deklarata është bërë nga ish-shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviç pas zërave se qeveria serbe nuk mund t`i shfuqizojë marrëveshjet e arritura.
“Ne nuk kemi nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, sepse marrëveshjet e tilla do të duhej të nënshkruheshin dhe do të ishin subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në këtë rast mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu ato marrëveshje, do të duhej të miratoheshin në Kuvendin e Serbisë”, ka thënë Stefanoviç.
Një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica tha se do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Ndërsa, zyrtarët serbë të ekipit të tanishëm negociator, kanë thënë se synojnë të ndryshojnë pjesët e kontestueshme të marrëveshjeve, kryesisht në Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe të Lirisë së Lëvizjes.
Raundi i nëntë dhe i fundit i bisedimeve teknike mes Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, është mbajtur në muajin mars.
Në këto bisedime janë arritur 7 marrëveshje, por nuk është bërë zbatimi i tyre. Aktualisht flitet se dialogu Kosovë-Serbi do të zhvillohet në nivel politik dhe jo teknik, por, ende nuk është konfirmuar asgjë zyrtarisht.