Stefanoviq: Bërnjaku dhe Jarinja, temë bisedimesh me Cooperin

Vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë janë një prej arsyeve kryesore të vizitës së ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Robert Cooper, në Beograd dhe Prishtinë, ka deklaruar shefi i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviq.
Në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Stefanoviq ka thënë se “ardhja e Cooperit do të jetë një mundësi për të diskutuar propozimet që ia kemi drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, për mënyrën e zgjidhjes së situatës në vendkalime”.
“Do të bisedojmë se si të zgjidhet kriza me opsione dhe modalitete konkrete por, nuk duhet pritur që zgjidhja të gjendet që nesër, ky është një proces, i cili tash do të ketë një dinamikë më të shtuar”, ka thënë Stefanoviq.
Cooper pritet që në Beograd të arrijë sot, në orët e mbrëmjes. Pas Beogradit, ai do të vizitojë edhe Prishtinën.