Steinmeier: Shqipëria partnere e rëndësishme! Begaj: Samiti në Tiranë përgjegjësi e madhe, pritshmëritë janë të larta

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier dhe Presidenti Bajram Begaj pas takimit në Presidencë kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për media në fokus të së cilës ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, samiti i BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë dhe dialogu Kosovë-Serbi. Në fjalën e tij, presidenti Steinmeier siguroi mbështetjen e Gjermanisë në procesin e integriumit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Teksa vuri theksin te intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, Steinmeier deklaroi se Shqipërsë nuk do i mungojë asnjëherë mbështetja e Gjermanisë.
“Shqipëria është partnere e rëndësishme dhe ne do të rrisim bashkëpunimin. Brenda NATO-s Shqipëria forcon sigurinë rajonale në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria jep kontribut të rëndësishëm brenda kohezionit evropian. Gjermania e shoqëroi Shqipërinë në fillimin e saj në BE, premtoj vijimin e mbështetjes”, tha Steinmeier.
Po ashtu, Presidenti Begaj u shpreh se Gjermania është një parnere e besuar e Shqipërisë. Sipas kreut të shtetit, Gjermania ka dhënë një ndihmë të pakursyer ndaj vendit tonë për reformën në drejtësi dhe proceset e tjera integruese.
“Që te jemi përpara duhet të kemi bashkëpunim brenda vendit dhe mbështetjen që kemi patur nga miqtë dhe partnerët tanë. Gjermania partnere e besuar e Shqipërisë. Ka bashkëpunuar për të dhënë ndihmë të pakursyer në reformën në drejtësi dhe procese të tjera integruese. Ndihma që do japë Gjermania në procesin e negociatave me ekspertë të ndryshëm në fazën e negocimit do të ishte e mirëpritur”, tha Begaj.
Sa i përket samitit që do të mbahet në 6 dhjetor, ku Tirana do të presë liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor, Presidenti u cilësoi si një ngjarje historike.
“Është një ngjarje historike për Shqipërinë. Edhe përgjegjësia është shumë e madhe për vendin tonë. Pritshmëritë janë të lartë. Shqipëria është vendi ku sipas të gjitha sondazheve, përqindja më e lartë e popullatës kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt.
Procesi i anëtarësimit në BE nuk ka afat të përcaktuar. Duhet që çdo vend aspirant të bëjë detyrat e veta. Pa u plotësuar kriteret, duhet që vendi të punojë për të realizuar në kohë procesin e adaptimit dhe përshtatjen e negociatave për tu anëtarësuar. Nuk ka një kohë qe e përcaktoj unë. Koha varet nga detyra dhe puna e secilit vend që kërkon që aderon të bëhet pjesë e BE. Ky është një proces meritash dhe nuk ka proces ‘pro bono’ për askënd”, tha Begaj.
/rtsh.al/