Sterkaj: Në plazh si këmbësorë, trafik droge bëhet edhe në rrugë

Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi shtyrjen me 3 vjet të tjerë të ndalimit të lundrimit në ujërat e vendit të mjeteve motorike. Debate për përfshirjen në ligj të motorëve sportivë
Deputetët e shumicës pushtetare u shfaqën jo të njëmendtë dhe gjithashtu dyshues mbi paraqitjen që iu bë projektligjit për shtyrjen e moratoriumit për skafet edhe me tre vjet të tjera. Ndonëse me debate, ata e miratuan projektligjin në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Ata u përqendruan te një nen me rëndësi, përkatësisht në të përcaktuarit e llojit dhe tipave të mjeteve motorike që do të ndalohen të përdoreshin në ujërat e Shqipërisë, si dhe dyshues për punën e policisë. Në disa raste deputetët e PD-së, Paulin Sterkaj dhe Fatos Hoxha kërkuan shpjegime nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, që të saktësonte se për çfarë mjetesh motorike bëhej fjalë. Por ata dëgjuan t’u thuhej se nuk ka të rinj, pra të tjerë të shtuar. Debatet u bënë në komision, ku Ministria e Brendshme argumentoi se janë të përfshirë të njëjtët mjete motorike si katër vjet më parë, kur ligji u miratua përpara se të shtyhej në 2009-ën dhe tani në këtë fillimviti. Deputeti Sterkaj ishte konkret në pikëpyetjen e ngritur mbi punën e policisë, kur tha se, nëse flitej edhe për ndalimin e motorëve të ujit, atëherë “më mirë (policia) të rrijë në shtëpi, sepse nuk di ta bëjë punën”. “Nëse ne policisë ia bëjmë të gatshme ia heqim mjetet motorike detare, mjetet transportimit rrugor të mallrave, atëherë çfarë kuptimi ka?! Unë e kam kundërshtuar para katër vitesh një moratorium të tillë, jam i bindur se ka dhënë efekte pozitive, jam i ndërgjegjshëm se është bërë një punë shumë efikase, janë bërë hapa shumë të mirë për parandalimin e trafikut të armëve, klandestinëve. Por që të ndalojmë edhe mjetet motorike sportive, i bie që hiqet kjo pjesë, të shihet neni për mjetet motorike sportive. Ne jemi përdorues të këtyre mjeteve sportive, i bie që edhe në të jemi trafikantë, kështu që mjeti motorik sportiv nuk kalon as detin, as liqenin”, -tha ai. Qëndrim të ngjashëm parashtroi deputeti Fatos Hoxha, sipas të cilit “do të ishte mirë që ne në komision të kishim një listë të mjeteve motorike sportive”. Ai kujtoi se vetë ka një mjet të vogël motorik, por sikurse u shpreh, pa mundësi transportimi në largësi tejkufitare. Përfaqësues të Ministrisë së Brendshme më shumë u rrekën t’i përmbaheshin projektit, sesa të saktësonin se për çfarë termash konkretë bëhej fjalë në parashikimin e mundshëm të parandalimit të veprave kriminale që lidhen me këtë ligj.
Debatet
-Paulin Sterkaj: “Kush përfshihen këto mjete motorike sportive. Cilat janë”?
-Eksperti: “Të gjitha mjetet e lundrimit të parashikuar nga Kodi Detar”.
-Sterkaj: “Mjet sportiv është edhe ai motori i vogël, skuter”?
-Eksperti: “Po, edhe ai”.
-Paulin Sterkaj: “Qenka shqetësim i madh. I bie që policia më mirë të rrijë në shtëpi, sepse nuk është e zonja me ba punën. Mjetet motorike janë edhe në rrugë trafikojnë drogën. Ne duhet të shohim anën pozitive dhe anën negative të një ligji. Për mua masa më e madhe e shoqërisë, e përdoruesve të mjeteve sportive që përdor këto mjete është korrekte, nuk e shkel ligjin. Në rast se ka ndonjë këto që përdor këto mjetet për trafik, policia ka detyrën e vet për me ba detyrën për kap atë që konfliktin. Nëse ne policisë ia bëjmë të gatshme ia heqim mjetet motorike detare, mjetet transportimit rrugor të mallrave, atëherë çfarë kuptimi ka. Unë e kam kundërshtuar para katër vitesh një moratorium të tillë, jam i bindur se ka dhënë efekt pozitive, jam i ndërgjegjshëm se është bërë një punë shumë efikase, janë bërë hapa shumë të mirë për parandalimin e trafikut të armëve, klandestinëve. Por që të ndalojmë edhe mjetet motorike sportive, i bie që hiqet kjo pjesë, të shihet neni për mjetet motorike sportive. Ne jemi përdorues të këtyre mjeteve sportive, i bie që edhe në të jemi trafikant, kështu që mjeti motorik sportiv nuk kalon as detin, as liqenin”.
-Fatos Hoxha: “Opozita ishte skeptike në lidhje me efektshmërinë e zbatimit të këtij ligji kur e miratuam. Sukseset që ka sjellë zbatimi i këtij ligji janë evidente, e minimizoj trafiqet të mos themi zero, nënshkruam MSA-në, u bëmë anëtare e NATOS. Tani jemi në një fazë tjetër për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar BE. Ky moratorium nuk duhet të hiqet, të vazhdoj deri sa Shqipëria të forcohet dhe të anëtarësohet në BE në të mirë të të gjithë shqiptarëve dhe jo në dobi të një pakice të vogël që disponon, që është shumë-shumë e vogël, 1-2 për qind që disponon këto mjete, herë për arsye kriminale, por ka edhe nga ato që, siç e tha parafolësi, që nuk e disponon për arsye kriminale. Por në këtë mes jemi të detyruar të zbatojmë këtë moratorium për hir të interesit të anëtarësimit në BE. Zgjatja është domosdoshmëri. Ajo për të cilën unë jam skeptik, do të ishte mirë që ne në komision të kishim një listë të mjeteve motorike sportive. Sepse unë disponoj një mjet të vogël motorik, nuk ka mundësi që të transportojë e as të kryejë distanca që mendohen për kalimin e kufirit, por edhe për të transportues objekte të ndryshme. Të shohim nenin që bëhet fjalë për mjetet sportive motorike, nuk duhet t’ia ndërpresim dhe në asnjë mënyrë do të jem kundër, nuk jam personalisht dakord, që ta heqim pak argëtim që kemi krijuar qoftë për turistët vendas dhe të huaj në brigjet tona ku bëhet plazh”.
-Vasillaq Ngresi: “Moratoriumi ka qenë kryesisht për skafet, por që ta vesh tani në këtë kategori të përfshihen mjetet motorike sportive apo dhe jahtet nuk shkon. Trafiku i drogës nuk bëhet vetëm det, por edhe në rrugë tokësore, nuk mund të ndalojmë edhe mjetet e transportit rrugor apo mjetet e tjera. Nuk jam dakord që mjetet turistike detare të ndalohen. Jam dakord me nismën për moratoriumin, por ato që janë për mjetet motorike lundruese për sport dhe turizëm të hiqen”.
-Luan Skuqi: “E gjej me vend që, në kushtet kur Shqipëria është në derën e madhe të proceseve integruese, të vazhdojë moratoriumi. Shtyrja e këtij afati është një ndihmesë e madhe, por mendoj se për mjetet sportive të vogla të kihet një kategorizim. Nuk duhet të hiqen për shumë arsye. Mund të jetë një rast i shkëputur, por nuk është se kanë pasur peshën e madhe të trafiqeve këto mjete”.
-Leonard Demi: “Këtë ligj ta kalojmë në seancë plenare, por duke marrë në konsideratë vërejtjet e kolegëve të shikojnë paragrafin e mjeteve turistike dhe sportive”.
-Paulin Sterkaj: “Sa raste ka ministria të trafikimin të lëndëve narkotike ose të këtyre mjeteve? Apo marrin thjesht në konsideratë fuqinë motorike të këtyre mjeteve”?
-Eksperti: “është një studim”.
-Leonard Demi: “është një studim i policisë që thotë”…
-Paulin Sterkaj: “Policia duhet të merret me studim se çfarë efektesh negative ka pasur, pasojat. Shkak qenka mjeti sportiv, çfarë pasojash ka pasur? Unë mendoj se ne duhet të shkojmë në plazh vetëm në këmbë, si këmbësorë”.