E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria pranon krizën në 2009, rritja ekonomike vetëm 3.1 për qind

Sërish rritja ekonomike është gati 1 për qind më e lartë se ajo që ka rezultuar nga ana e studimeve të Bankës Botërore, por qeveria ka bërë një hap përpara, duke korrigjuar gabimet e vitit të kaluar
 
Duke lançuar një rritje ekonomike në kohën e furtunës financiare që ishte afër 6 për qind, entuziazmi i qeverisë shqiptare për një vit ishte i lartë, pavarësisht se nga ana tjetër burimet e kësaj rritjeje ishin tepër të cunguara. Me një rënie historike të të ardhurave nga tatimet, rënie të eksporteve dhe importeve më e larta, që në 1997 dhe tkurrje të fortë të remitancave, rritja ekonomike e Shqipërisë nuk mund të ishte më e lartë se 3 për qind. Një fakt i tillë është theksuar që në muajt e parë të vitit 2009 nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, dy institucione të cilët shifra më e mirë që kanë dhënë ka qenë 2.2 për qind. Më në fund edhe qeveria në bërjen e buxheti të ri dhe llogarive të reja nuk ka mundur që të neglizhojë rënien e fortë ekonomike që ka përfshirë vendin.
***
Qeveria është dorëzuar më në fund përballë presioneve të krizës globale, duke pranuar zyrtarisht se rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë në nivelet më të ulëta. Në vlerësimin më të fundit për gjendjen e ekonomisë, Ministria e Financave ka korrigjuar rritjen ekonomike për vitin 2009, duke e ulur atë në 3.1 për qind, plot 2.7 pikë përqindje më shumë sesa vlerësimet e muajit tetor. Sipas ministrisë, Produkti i Brendshëm Bruto në fund të dhjetorit të vitit të kaluar kë arritur në 1 bilion e 145 miliardë lekë, ndryshe nga vlerësimet e mëparshme, kur pritej që GDP të arrinte në 1 bilion e 180 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2008, rritja ekonomike ka rënë me më shumë se 2 herë, duke qenë për vitin 2009 më e ulëta e dhjetëvjeçarit të fundit. Vetëm nga kjo tkurrje ekonomia ka humbur më shumë se 35 miliardë lekë, ose gati 400 milionë dollarë. Me vlerësimet e fundit, qeveria pas shumë kundërshtimeve dhe debateve, u afrohet skenarëve të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilët kishin lajmëruar që më parë për një rritje ekonomike të ulët në vitin 2009, por që deri tani gjithmonë ishte hedhur poshtë nga qeveria. Në raportin e saj të fundit, banka ka përllogaritur se rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2009 ka qenë vetëm 2.2 për qind, më e ulëta që nga viti 1997. Në raportin e quajtur “E ardhmja e ekonomisë botërore”, banka jep një analizë të detajuar të të gjitha ekonomive botërore dhe impakteve që ka pasur kriza në to. Në pjesën kur flitet për Shqipërinë, banka thotë se ekonomia është prekur më rëndë nga rënia e dërgesave të emigrantëve.
  
Recesioni
Me një rënie historike të të ardhurave nga tatimet, rënie të eksporteve dhe importeve më e larta që nga 1997 dhe tkurrje të fortë të remitancave, rritja ekonomike e Shqipërisë nuk mund të ishte më e lartë se 3 për qind. Një fakt i tillë është theksuar që në muajt e parë të vitit 2009 nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, dy institucione të cilët shifra më e mirë që kanë dhënë ka qenë 2.2 për qind.
 
 
Cilësia e jetës, Shqipëri sërish e fundit në rajon
Tashmë nuk përbën më lajm se vendi ynë të renditet ngaherë në vendet e fundit të listës në botë për sa i përket cilësisë së jetës. Kështu, Shqipëria renditet mes vendeve të fundit në rajon, në listën vjetore të standardit të jetesës, publikuar nga revista ndërkombëtare “International living”. Nga 194 shtete, Shqipëria mban pozicionin e 65-të, duke lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën, në vend të 66-të. Përpara vendit tonë janë renditur Greqia, Kroacia e Maqedonia. Lista realizohet në bazë të nëntë kritereve: kostoja e jetesës, kultura dhe koha e lirë, ekonomia, mjedisi jetësor, liria, shëndetësia, infrastruktura, siguria dhe klima. Notat më të ulëta vendi ynë i ka marrë në infrastrukturë dhe ekonomi, ndërsa më të lartat për klimën, mjedisin dhe shëndetësinë. Në akordimin e pikëve, Shqipëria ka marrë 63, aq sa edhe shtetet afrikane të Namibisë apo Mauritanisë. Në krye të renditjes për të pestin vit radhazi qëndron Franca, e ndjekur nga Australia, Zvicra, Gjermania dhe Zelanda e Re. Ne dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe Luksemburgu, SHBA-të, Belgjika, Kanadaja dhe Italia.
***
Niveli i jetesës edhe në këtë raport ka një ndikim të madh nga situata e vështirë ekonomike me papunësi në rritje. Sipas raportit, të ardhurat për frymë mbeten ndër më të ulëta në rajon, ndërsa pabarazia është një nga fenomenet që vazhdon të shoqërojë ekonominë shqiptare. Ndarja e të ardhurave në vend rezulton që të jetë në nivelin më të lartë të pabarazisë në rajon, duke theksuar edhe më shumë varfërinë. Një nga pikat e tjera që raporti thekson për pabarazinë në rritje është infrastruktura. Nëse krahasohet me fqinjët, vendi ynë ka një infrastrukturë tërësisht të dëmtuar dhe investimet më të mëdha sipas raportit janë të diferencuara vetëm në zona të caktuara, duke mos dhënë impakt të njëjtë në të gjithë territorin. Në këtë raport merren në studim procedurat doganore, kostot e logjistikës, cilësia e infrastrukturës etj., që nevojiten për të realizuar tregtinë e mallrave. Raporti i “International Living” bën të ditur se, në rastin studimor të Shqipërisë janë marrë në studim nga ana e ekspertëve të dhënat e bizneseve të huaja dhe vendëse që realizojnë tregti në Shqipëri, si dhe një sërë agjentësh tregtarë që kanë në qendër të aktivitetit të tyre transportin e mallrave. Në këtë tregues, në të cilin vendi në raport ka marrë edhe vlerësimin më të ulët, janë marrë në studim 1 mijë raste të veçuar nga njëri-tjetri. Sipas raportit, bëhet e ditur se në vend vazhdon që të ketë një numër të madh procedurash doganore, që vënë në vështirësi biznesin dhe vështirësojnë tregtinë, duke rritur ndjeshëm kostot.
 
 
Debati Guxholli-Malaj: Liria ekonomike, problem afatgjatë i vendit
Shqipëria është një ndër vendet e botës, ku klima për biznesin është e favorshme - është gjetja e një sondazhi botëror të kryer nga fondacioni amerikan “Heritage” dhe gazeta “Wall Street Journal”, lidhur me lehtësinë e të bërit biznes në shumë vende të botës në vitin 2009. Me këtë rast, fondacioni ka analizuar 183 vende të botës dhe ka klasifikuar 179 prej tyre në një tabelë të lirisë ekonomike, duke krahasuar dhjetë tregues të hapjes ekonomike të vendit, eficiencës së masave rregullatore të ekonomisë, të funksionimit e ligjit dhe të konkurrencës. Parimet thelbësore të lirisë ekonomike, të bazuara në indeks, janë fuqizimi i individit, trajtimi i barabartë dhe promovimi i konkurrencës. Ekonomia e Shqipërisë është në vendin e 53-të të vendeve më të lira për të bërë biznes. Shqipëria është e 23-ta në mesin e 43 vendeve të Europës dhe niveli i saj i përgjithshëm është mbi mesataren botërore. Por sondazhi vë në dukje edhe kontraste të thella. Siguria e pronës është shumë e ulët, dhe për këtë fajësohet ndërhyrja e politikës.  Për të biseduar për këtë çështje, mysafirë të BBC-së ishin zonja Zana Guxholli, këshilltare për çështje Ekonomike e Kryeministrit shqiptar, si dhe zoti Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë në qeverinë shqiptare. Sipas zotit Malaj, përmirësimi i lirisë ekonomike dhe i ambientit të përgjithshëm ekonomik është një sfidë afatgjatë, e cila kërkon më tepër reforma strukturore dhe një vullnet të qartë politik. Një tjetër çështje, sipas tij, është forcimi i institucioneve që duhet të jenë në funksion të rritjes së lirisë ekonomike apo luftës kundër korrupsionit. Zonja Guxholli, duke folur për konstatimin e sondazhit se ka ndërhyrje politike në sistemin e gjyqësori, kur është fjala për pronësore, konfirmoi vendosmërinë e autoriteteve shqiptare për reformimin e gjyqësisë, me qëllim të luftimit të korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë. Kjo reformë, sipas saj, po mbështet edhe nga një fond prej 56 milionë eurosh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›