E Diel, 1 Nëntor 2026

Impianti ngrohës redukton furnizimin, mungon mazuti

Ngrin Prishtina
 

 
 “Termokos” ka një javë që ka reduktuar furnizimin me ngrohje, duke rritur kështu kërkesën për energji elektrike, kërkesë kjo që nuk mund të mbulohet nga KEK-u
 
Me uljen e temperaturave në Kosovë, qytetarët po përballen me reduktime të energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Javën e kaluar, impianti ngrohës i qytetit “Termokos” vendosi të zvogëlojë prodhimin, për shkak të mungesës së lëndës djegëse, mazutit, si dhe për shkak të borxheve të konsumatorëve. Zana Efendia, zëdhënëse e kompanisë, tha se që nga dita e sotme, ka mundësi të ketë ndërprerje kolektive të ngrohjes. Ky vendim, sipas saj, do të zbatohet për arsye të borxheve të konsumatorëve, të cilat arrijnë në mbi 15 milionë euro. Ndërkaq, borxhet e “Termokos”-it ndaj kompanisë furnizuese me mazut kalojnë shumën mbi 2 milionë euro, thotë Efendia. “Bordi i drejtorëve të kompanisë ngrohëse të qytetit dhe komisioni i aksionerëve kanë marrë vendimin që të fillohet me shkyçje kolektive të atyre lagjeve ose të atyre rajoneve, të cilët kanë borxhe tejet të mëdha ndaj ‘Termokos-it’”, tha zëdhënësja. Mungesa e furnizimit cilësor me ngrohje ka vështirësuar jetën e qytetarëve. Imer Krasniqi, i cili jeton në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, thotë se gjatë këtij sezoni furnizimi me ngrohje nuk ka qenë cilësor. Ai nuk pajtohet me arsyetimet e zyrtarëve të “Termokos”-it, se kjo po ndodh për shkak të borxhit dhe mungesës së mazutit. Sipas tij, drejtuesit e kompanisë nuk e kanë menaxhuar siç duhet çështjen e mazutit. Ndërsa Demë Demaj thotë se kur nuk ka ngrohje, s’ka pse të paguhet. Një qytetar tjetër thotë se është e çuditshme që ngrohje ka pasur në kohën kur temperaturat kanë qenë të larta, ndërsa furnizimi është zvogëluar kur temperaturat janë nën zero gradë celsius. “Gjithmonë po na kanoset ngrohja kur është minus”, thotë ai. Lidhur me këtë, zëdhënësja e “Termokos”-it, Zana Efendia, shprehet: “Për shkak të temperaturave, rëndom konsumatorëve u është reduktuar pak ngrohja, por ndërprerje totale të ngrohjes nuk ka pasur”. Ndryshe, mungesa e ngrohjes së qytetit ka rritur kërkesën e konsumatorëve për rrymë, gjë që i ka shkaktuar probleme edhe Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë korporatë. Sipas tij, KEK-u është munduar të evitojë reduktimin e furnizimit me energji elektrike. “Realisht, mbingarkesat po na shkaktojnë telashe në disa zona. Qëkur është ndalur ‘Termokos’-i, neve na është rritur kërkesa prej 20 përqindësh, e cila edhe ashtu ka qenë e lartë edhe më herët”, pohon Buzhala. Problemeve me ngrohje nga “Termokos”-i nuk po u shpëton as Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
 
 
 
Maqedonishtja në klasë të parë
 
Maqedoni, rritet tensioni mes partive në pushtet
 
Vendimi i fundit i qeverisë maqedonase, që nxënësit shqiptarë të mësojnë maqedonishten nga klasa e parë, si dhe letra e deputetit Fazli Veliu, dërguar kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilin e akuzon për politikë krejtësisht antishqiptare, kanë tensionuar dukshëm raportet mes partnerëve qeveritarë në Maqedoni. Sipas analistëve politikë, raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO/DPMNE - BDI janë përkeqësuar në shkallën më të lartë të mundshme dhe fajin për këtë e ka kryesisht politika destruktive e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili për interesa partiake po tensionon edhe raportet ndëretnike në Maqedoni. “Qeveritë janë për të zgjidhur problemet dhe jo për t’i krijuar ato. Për fat të keq, kryeministri ynë, për interesa jashtë moralit, krijon probleme”, shprehet analisti politik Mersel Bilalli. Vendimi i fundit për nxënësit shqiptarë që të mësojnë maqedonishten nga klasa e parë, pastaj polemikat rreth zgjidhjes ose jo të statusit të ish-pjesëtarëve të UçK-së, ndjekja dhe arrestimet e ish-luftëtarëve shqiptarë nga viti 2001, si dhe debatet rreth ndërtimit të objekteve fetare në sheshin e Shkupit, janë vetëm disa nga mosmarrëveshjet e shumta që ekzistojnë mes BDI-së së Ali Ahmetit dhe VMRO/DPMNE-së së Gruevskit. “Për fat të keq, ne ndeshemi me një politikë, e cila vazhdimisht prodhon për interesa konjukturale dhe politikë ditore, urrejtje, kontradikta, mosmarrëveshje fetare-etnike e kështu me radhë. Gjithsesi, jam për atë që definitivisht kryeministri t’i kundërshtojë politikat e tij destruktive në marrëdhëniet ndëretnike, ndërfetare e kështu me radhë”, thotë Bilalli. Ndërkohë, profesori universitar, Jeton Shasivari, thotë se një situatë e tillë pritej për shkak të politikës populiste që udhëhiqet nga kryeministri Gruevski, por edhe zbehjes së politikës së BDI-së në qeveri. “Mendoj se hapësira e veprimit të BDI-së dita-ditës po ngushtohet, si pasojë e disa vendimeve të njëpasnjëshme, që në thelb janë vendime diskriminuese për shqiptarët, andaj mendoj se kjo parti duhet që sa më shpejt të rishikojë pozicionin e saj në këtë qeveri”, deklaron Shasivari. Por, nga ana tjetër, Marija Ristevska, nga Instituti për Hulumtimin dhe Krijimin e Politikave, thotë se mospajtimet brenda koalicionit qeveritar janë rezultat i mosekzistimit të koalicioneve parazgjedhore. “Për fat të keq, ne ende nuk kemi koalicione parazgjedhore. Vetë partitë politike marrin pjesë në zgjedhje me programet e tyre partiake dhe pasi të fitojnë mbështetjen e elektoratit, tentojnë që të gjejnë pika të përbashkëta, qëndrime të përbashkëta. Kjo, për fat të keq, nuk ndihmon në arritjen e konsensusit për të gjitha çështjet, për të cilat ka dallime mes tyre”, shprehet Ristevska. Përkundër vlerësimeve të analistëve, dy partitë politike në qeveri kanë mohuar të ketë përçarje brenda koalicionit, por veprimet e fundit të tyre, si letra e deputetit Fazli Veliu dërguar kryeministrit Nikolla Gruevski, si dhe mosvotimi madje edhe i ligjeve apo projekteve që propozon njëra apo partia tjetër, flasin krejt të kundërtën.
 
 
Sërish votime
 
Nis fushata në Prizren dhe Lipjan
 
Filloi dje fushata për rivotim në Prizren dhe në Lipjan për zgjedhjen e kryetarëve të komunave. Në garë janë sërish dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, dhe fushata do të zgjasë pesë ditë, për t’iu drejtuar më pas për të tretën herë kutive të votimit. Përfaqësuesit e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kanë rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë këtij procesi zgjedhor të rrisë masat e sigurisë dhe numrin e pjesëtarëve të policisë nëpër vendvotime. Nga ana tjetër, zyrtarët e KQZ-së thonë se institucioni që i organizon zgjedhjet, është duke i koordinuar veprimet me Policinë e Kosovës. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, thekson se KQZ-ja do t’i respektojë rekomandimet e KZAP-it. “KZAP-i, me vendimin e vet, ka rekomanduar një gjë të tillë, pra që siguria të jetë në nivelin e duhur. Duke e respektuar këtë vendim të KZAP-it, Sekretariati i KQZ-se ka marrë një urdhër që të bëhet shtimi i prezencës së sigurisë”, thotë Lushta. Edhe Policia e Kosovës konfirmon se janë duke u konsultuar me KQZ-në, që procesi zgjedhor në Prizren dhe Lipjan, që do të mbahet më 31 janar, të shkojë sipas rregullave të parapara. Baki Kelani, zëdhënës i policisë, thotë se deri më tash nuk ka ndonjë kërkesë për shtim të pjesëtarëve të policisë në qendrat e votimeve. Megjithatë, ai thotë se policia është e gatshme të ofrojë numër më të madh të pjesëtarëve të policisë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga institucionet që organizojnë zgjedhjet. “Mund të themi se jemi të gatshëm të asistojmë, nëse kërkohet, të rrisim numrin, vetëm e vetëm që të ofrojmë siguri maksimale, që të gjithë qytetarët të ndihen të lirë gjatë procesit të votimit”, thotë Kelani. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pohojnë se janë në përfundim e sipër përgatitjet për rivotim në Prizren dhe Lipjan. Kryetarja e këtij komisioni, Nesrin Lushta, thotë se tashmë janë ndërmarrë të gjithë veprimet si edhe në zgjedhjet e kaluara. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ka dashur të flasë për çështjen e Gjilanit. Megjithatë, ajo ka theksuar se opinioni do të njoftohet me kohë rreth ndonjë vendimi të ri nga ana e KQZ-së.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›