Stoli i Evertonit, shfaqet Fabio Kanavaro

Një nga ikonat e futbollit italian, Fabio Kanavaro, është intervistuar si kandidat për vendin e trajnerit të mbetur bosh tek Evertoni, bëjnë të ditur mediat britanike. Ish-mbrojtësi nuk ka luajtur asnjëherë si lojtar në Premier Ligën Angleze, por ka vijuar të drejtojë një numër skuadrash që kur u shndërrua në trajner 10 vjet më parë. 48-vjeçari fitoi titullin e kampionit të Superligës Kineze me Guangzhoun në 2019-ën dhe ka drejtuar gjithashtu edhe skuadrën tjetër kineze, Tianxhinin, atë saudite, Al Nasr dhe ekipin përfaqësues të Kinës. Kanavaro është hëpërhë i lirë që nga shtatori i vitit të shkuar, kur u largua nga Guangzhou dhe mësohet se është i interesuar që ta vazhdojë karrierën si trajner në Angli.
Mediat britanike raportuan se Kanavaro ka bindur në intervistën e tij, ndonëse drejtuesit e Evertonit, ende nuk kanë biseduar me dy kandidatët e tjerë të përfolur, Frenk Lampardin dhe Uejn Runin. Vetë ish-futbollisti italian pati deklaruar në nëntor të vitit të shkuar, duke folur për të përditshmen e njohur britanike, “The Sun”, se një trajner nuk duhet t’i vendosë kufizime vetes dhe se ishte i hapur për çdo lloj përvoje. “Do të më pëlqente të drejtoja një skuadër në Angli, por kjo vlen edhe për Francën dhe Italinë”, – pati thënë italiani, duke shtuar: “Nëse merr një projekt të rëndësishëm, atëherë duhet ta marrësh në konsideratë”. Evertoni shkarkoi javën e shkuar trajnerin Rafael Benitez dhe është tashmë në kërkim të një emri të ri për stolin dhe lista sa vjen e ngushtohet.