Stonestreet: Zgjedhjet ishin konkuruese dhe transparente

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it kanë publikuar sot raportin paraprak të zgjedhjeve vendore të 8 majit ku është konstatuar se zgjedhjet ishin konkuruese dhe transparente.
Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet ka deklaruar se edhe pse zgjedhjet ishin transparente u organizuan në një mjedis i polarizuar dhe të mungesës së besimit të partive si në qeveri ashtu edhe në opozitë.
Më tej Stonestreet theksoi se dy partitë e mëdha nuk morën përsipër rolin e tyre zgjedhor në mënyrë të përgjegjëshme dhe ato abuzuan me rolin e tyre duke vazhduar betejën politike.
Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it gjithashtu theksoi se aspekti pozitiv që është kostatuar lidhet me përmirësimin e listave, punën e Kolegjit Zgjedhor për të vendosur për ankimimet e partive dhe medias, e cila ka qenë pluraliste.
“KQZ-ja funksionoi me transparencë por polarizimi ndikoi në punën e saj pasi disa vendime u morën në linja partiake” theksoi Stonestreet.
Më tej Stonestreet theksoi gjithashtu se u shkelën disa afate ligjore mbi emërimin e komisionerëve dhe moscaktimi i tyre nga opozita e detyroi KQZ-në që të ndërhynte.
“PD dhe PS nuk caktuan në kohë ekipet e numërimit dhe fushata u shoqërua me retorikë të ashpër ku ka pasur raste kur punonjës të administratës u përdorën për të mbështetur partitë” theksoi Stonestreet.
Ndërkohë duke iu referuar ditës së zgjedhjeve, kreu i vëzhguesve Stonestreet theksoi se përgjithësisht kjo ditë ishte e qetë por theksoi se numërimi i votave po ecën më mënyrë të ngadaltë në disa raste.