“Stop vrasjes në komisariate”, protesta të opozitës në qytete të ndryshme

Fieri ishte qyteti i parë që i është përgjigjur thirrjes së Partisë Demokratike të opozitës, e cila lajmëroi protestë paqësore nën moton “Stop vrasjes në komisariate”.
Thirrja erdhi pas vdekjes së të riut Ilvi Meta në një rajon policie në Kavajë.
“Ne orën 20.00 pranë të gjitha komisariateve të policisë në të gjithë vendin do të ndizen qirinj në një protestë të heshtur paqësore nën moton “Stop vrasjes në komisariate”. Në Tiranë qirinjtë do të ndizen tek Kryeministria, po në orën 20.00. Ftojmë mediat në Tiranë dhe në rrethe të ndjekin këtë protestë të heshtur”, shkruhej në njoftimin e PD-së.
Protesta me ndezjen e qirinjve u zhvilluan edhe ne qytete të tjera të vendit.
Në emër të kësaj partie, kreu i grupit nismëtar të rithemelimit Sali Berisha akuzoi policinë shqiptare për dhunë ndërsa kërkoi dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bledi Çuçi.
Vetë zoti Berisha ndezi qiri para selisë së qeverisë shqiptare. Ai tha se “rasti i fundit është rast tragjik i cili dëshmon fytyrën e vërtetë të narkoshtetit shqiptar”. Sipas Berishës në qelitë e policisë shqiptare ndodhin “vrasje shtetërore”. “Kjo qeveri funksionon si organizatë kriminale” tha ai.
Ish kryeministri Berisha i cili po synon të rikthehet në qeveri pasi u largua nëntë vite më pasi humbi zgjedhjet, u pyetnga gazetarët se përse nuk ka ndezur qirinj edhe për 4 persona që mbetën të vrarë më 21 janar të 2011, kur ai ishte në pushtet. Ai tha se se ata persona kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, duke qëlluar me armë mbi kryeminstrinë. “Kanë humbur jetën 4 njerëz të cilët po gjuanin me plumba xhamat e kryeministrisë. Tani nëse do të gënjesh këtu para meje mund të vazhdosh dhe të gënjesh. Ju mund të turpëroheni me këtë se po gënjeni se plumbat shiheshin aty në xhamet e dritareve” replikoi ai me një gazetare që këmbëngulte.