E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret, fillon fluturimet helikopteri turk

TIRANË- Helikopteri i vënë në dispozicion nga Republika Turke për shuarjen e zjarreve operoi gjatë ditë së djeshme në Lurë dhe në lartësinë e Priskës, duke kryer 24 operacione në këto zona, ndërsa gjatë ditës së sotme ai do të vijojë operacionet bazuar në planin operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile bënë të ditur se paralelisht, në terren kanë vepruar me intensitet të plotë forca të PMNZSH-së, ekipe të Forcave të Armatosura dhe atij të Shërbimit Pyjor, me mjete zjarrëfikëse dhe të rënda, në të gjitha ato zona ku ka qenë e mundur të operohet nga toka. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë në mjaft raste edhe komunitetet në zonat e prekura nga zjarri.

Në të gjithë territorin e vendit, pas ndërhyrjeve të suksesshme nga ajri dhe toka u arrit një reduktim i ndjeshëm i vatrave të zjarrit, të cilat dje mbetën vetëm 28.

Bëhet e ditur se në Qarkun e Dibrës ka 4 vatra aktive zjarri, në ekonominë pyjore “Lura 1”, si dhe ekonominë pyjore Kaçni, në fshatin Dragu, komuna Fushë Bulqizë dhe në Krastë, të komunës Martanesh.

Në Elbasan ka 1 vatër aktive në rrethin e Librazhdit, në fshatin Letëm, komuna Lunik.

Problematike paraqitet situata në Qarkun e Kukësit, ku ka 6 vatra aktive, 2 në rrethin e Kukësit, fshati Tërthore, komuna Tërthore dhe në komunën e Surrojit. 4 vatra aktive mbeten në rrethin e Tropojës, në fshatin Geg - Hysen, komuna Fierzë, në Dobrej, Komuna Bytyç, në fshatin Nikël-Mërtur, komuna Lekbibaj dhe në Valbonë, të komunës Margegaj.

Në Qarkun e Korçës ka 1 vatër zjarri aktive, në Bozdovec, ndërsa në Lezhë ka 2 vatra aktive zjarri, në fshatin Malaj, bashkia Rreshen dhe në fshatin Gallatë.

E rëndë paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës, ku ka 11 vatra aktive zjarri. Në Shkodër janë aktive dy vatra zjarri në fshatin Lekaj, komuna Shalë dhe në fshatin Plan, komuna Pult. Në rrethin e Pukës janë aktive 8 vatra zjarri, por më problematikë janë në fshatin Orosh, të komunës Qafë Mali dhe vatra në pyllin me pisha në fshatin Flet, komuna Blerim. Zjarre në vazhdim të tjerë janë në Malin e Krrabit, fshati Midë, në fshatin Fusha e Korit, komuna Qelëz dhe në Qafën e Sharrit. Në rrethin e Malësisë së Madhe kishte vetëm një vatër zjarri në fshatin Shkrelë, e shfaqur gjatë ditës së djeshme.

Ndërsa në Qarkun e Tiranës ka patur 2 raste zjarri aktive. Në Qafën e Krrabës, në km 29, ku përveç forcave të PMNZSH-së, FA-ve dhe atij pyjor, firma që kryen punimet në tunelin e Kërrabës, ofroi ndihmë të çmuar me mjete të rënda dhe zjarrëfikëse.

Në mëngjesin e djeshëm u riaktivizua vatra e zjarrit në lartësinë e Priskës. Vatra është në distancë të konsiderueshme nga Parku Kombëtar i Dajtit dhe nuk përbën asnjë rrezik për të.

Ndërkohë Qarku Durrës ka 1 vatër aktive në rrethin e Krujës, në Qafë Shtamë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›