Strategjia e re e turizmit, Duro për ATSH-në: Synojmë investime me përfitime afatgjata, shfrytëzim i plotë i potencialeve

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 përcakton qartë vizionin, i cili e paraqet Shqipërinë si destinacioni më i ri dhe më emocionues në Evropë, që ofron vlerën më të mirë bazuar në aspektet e cilësisë, gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro në një intervistë për ATSH-në foli për risitë e strategjisë së turizmit Shqipëria 2030 dhe se çfarë pritet të prodhojë ajo deri në vitin 2030.
“Strategjia Kombëtare e turizmit 2024-2030 është instrumenti që projekton zhvillimin e turizmit nën modelin e skenarit të qëndrueshëm me qëllim arritjen e standardeve të larta të shërbimit e mikpritjes. Kjo strategji, e cila aktualisht është në fazën e konsultimit publik, është hartuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me mbështetjen e Kooperacionit Gjerman në Shqipëri dhe me konsulencën e një prej agjencive më prestigjioze europiane në fushën e hotelerisë dhe turizmit siç është Horwath HTL, duke siguruar një bashkërendim mes aspekteve mjedisore, sociale dhe ekonomike”, theksoi Duro.
Kjo strategji, vijoi Duro, fokusohet në krijimin e një mjedisi të ekuilibruar dhe tërheqës që mirëpret investimet dhe siguron përdorimin e qëndrueshëm të burimeve.
Për të krijuar një sektor të suksesshëm turizmi në Shqipëri, synohet tërheqja e investimeve që sigurojnë përfitime afatgjata për të gjithë sektorin e turizmit dhe komunitetet vendase.
“Investimet duhet të theksojnë rëndësinë e ofertave turistike cilësore, të pranishme gjatë gjithë vitit dhe të shpërndara në të gjithë vendin”, shtoi Duro.
Sipas saj, turizmi është një nga shtyllat e zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë dhe rrjedhimisht është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë një kuadër rregullator të përshtatshëm.
“Një sistem i fortë rregullator është thelbësor që Shqipëria të pozicionohet si një destinacion turistik i sigurt dhe i besueshëm, pasi këto janë aspekte kyçe për të tërhequr turistë me mirëqenie të lartë ekonomike. Vend të veçantë zënë përpjekjet e strategjisë për menaxhimin e destinacioneve në mënyrë që të shfrytëzojë potencialin e plotë të turizmit në vend dhe që përputhet me performancën turistike të vendit”, theksoi Duro.
Sa i përket ndarjes së vendit në 6 rajone me strategjinë e re të turizmit, Duro sqaron edhe veçantitë ku do të përqendrohet zhvillimi në secilën prej këtyre zonave.
“Strategjia e turizmit është fokusuar në identifikimin e 6 zonave/rajoneve më të mëdha gjeografike që kanë disa veçori të përbashkëta që lidhen me përvojën, gjeo-morfologjinë, sipas asaj që zhvillohet sot ose do duhet të zhvillohen në të ardhmen, duke projektuar një sërë produktesh, aktivitetesh, eksperiencash, atraksionesh dhe infrastrukturash turistike të krahasueshme ose të ngjashme”, theksoi Duro.
Për këtë arsye, tha ajo, janë identifikuar 6 klastera/zona për zhvillimin e turizmit.
“Klasteri i bregdetit të Adriatikut; Klasteri verior i brendshëm; Klasteri i qytetit të Tiranës; Klasteri qendror; Klasteri i bregdetit të Jonit dhe Klasteri jugor i brendshëm”, tha Duro.
Duro u shpreh se “janë përcaktuar gjithashtu cilësitë e detajuara të secilit klaster, duke përfshirë aspektet thelbësore si produktet turistike parësore dhe dytësore, burimet dhe atraksionet kyçe, si dhe përvojat kryesore që mund t’u ofrohen vizitorëve”.
Vitet e fundit Shqipëria ka pësuar një “bum” turistik duke u vizituar nga miliona turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë preferuar të kalojnë pushimet e verës, por edhe të vizitojnë zonat malore të vendit.
Ndër qytetet më të vizituara mbeten Tirana, Kruja, Berati, Gjirokastra, Korça, Shkodra, qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda, por edhe zonat malore të vendit si Tropoja, Thethi, Kukësi etj.
Ajo që bie në sy vitet e fundit është se turizmi është gjithëvjetor, jo vetëm në 3 muajt e verës.
Rrugët e reja, tunelet dhe portet ndikim në rritjen e turizmit
Turizmi është një prej sektorëve prioritare të ekonomisë shqiptare dhe shumë projekteve infrastrukturore gjatë viteve të fundit janë në shërbim të këtij sektori, duke nisur nga rrugët që shkurtojnë distancat dhe lehtësojnë aksesin drejt destinacioneve turistike.
Në një intervistë për ATSH-në Drejtoresha e Përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro renditi disa nga projektet kryesore që do të ndihmojnë sa i përket zhvillimit të turizmit, i cili lidhet drejtpërdrejt si me investimet në infrastrukturë, rrugë, aeroporte, porte edhe në struktura akomoduese më cilësore.
Duro theksoi se “9,7 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë muajve janar-shtator 2024, duke rritur ndjeshëm edhe flukset në qarkullim. Hapja e tuneleve të Kardhiqit, Llogarasë, aksi Thumanë-Kashar, rruga e Arbrit janë vetëm disa nga veprat infrastrukturore që shërbejnë si mundësi alternative dhe shkurtojnë aksesin drejt destinacioneve turistike”.
Gjithashtu, tha Duro, është tashmë i qartë interesi i dukshëm për zhvillimin e sektorit të marinës, i cili dëshmohet qoftë nga strukturat ekzistuese si Orikum Marina, por sidomos edhe nga nisja e projekteve të reja të marinës në Durrës, në Vlorë dhe në Sarandë.
Ndërsa përsa i përket infrastrukturës aeroportuale, Duro informoi se “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA),vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2024 ka përpunuar 7,2 milionë pasagjerë, tregues i rimëkëmbjes së suksesshme të aeroportit nga efektet e pandemisë dhe zgjerimit të tij si për nga numri i fluturimeve, ashtu edhe për nga destinacionet, si dhe nga hyrja e linjave ajrore konkurruese me kosto të ulët të kompanive ajrore të mirënjohura, duke shënuar një hap drejt zvogëlimit të varësisë nga një kompani e vetme ajrore”.
Krahas infrastrukturës ekzistuese aeroportuale, Shqipëria po zgjeron kapacitetet e saj të udhëtimit ajror me prezantimin e aeroporteve të reja ndërkombëtare, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës dhe aeroporti i Gjirokastrës.
“Këto risi paraqesin një mundësi për të zhvilluar më tej infrastrukturën dhe aksesueshmërinë e udhëtimit ajror në vend. Gjithashtu, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të shërbejë si një pikë e re hyrjeje në rajonin bregdetar të vendit, duke ofruar një mundësi për diversifikim më të gjerë të tregut”, theksoi Duro.
Vitet e fundit qeveria shqiptare ka kryer një sërë investimesh në infrastrukturë, si në jug dhe në veri të vendit. Ky impakt i infrastrukturës është ndjerë edhe në fushën e turizmit, ku ky sektor po tregon se është një nga injektuesit më të mirë të ekonomisë.
/k.s/