Strategjia e shkatërrimit të Shqipërisë
Prof. dr. Dëfrim Shkupi
-Çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këtë periudhë tranzicioni? Janë shkatërruar të gjitha institutet shkencore dhe janë mbushur ministritë me departamente, që në fakt kanë qenë institute më vete. Në një kohë kur nuk ka më veprimtari shtetërore, për shkak të privatizimeve masive në të gjitha fushat e ekonomisë. Me vendimin Nr. 561 ,datë 22.08.2007, Qeveria aktuale bëri bashkimin e disa Instituteve ne Qendra shkencore, duke rrudhur në mënyrë drastike si personelin, ashtu dhe gamën e veprimtarisë së tyre. Për këto vendime ka punuar një grup, që do të mbesë i damkosur si shkatërrues i Shkencës shqiptare, i kryesuar nga Ministri aktual i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj dhe i përbërë nga Salvatore Bushati, Marenglen Gjoni dhe Ismail Hoxha, të cilët morën shpërblimin me nga një post në administratën shtetërore (personi i fundit, i lart përmendur është pjesëtar i grupit parlamentar të PD-së). Akademia e Shkencave u katandis në një Institucion me status honorifik, i mbushur me militantë, që në një pjesë të konsiderueshme janë larg meritave shkencore të shumë pretendentëve të paraqitur në konkurrim. Mjafton një shembull të japim për të argumentuar dëmin e madh që i është shkaktuar ekonomisë së vendit dhe popullit drejtpërdrejtë. Në vitin 1963 në rajonin e Shkodrës ndodhi një përmbytje apokaliptike. Pas kësaj ndodhie, u morën masa konkrete inxhinierike për të mos u përsëritur më. Bile në Hartën e Rreziqeve Gjeologjike të Shqipërisë, shkallë 1:200.000, rajoni i Shkodrës është paraqitur jashtë rrezikut eminent nga përmbytjet, se situata monitorohej vazhdimisht dhe ishin caktuar fonde për mirëmbajtjen e kanalizimeve të nevojshme dhe të ledheve mbrojtëse. Pra u krijua një hidrografi shkencore. Ndërprerja e këtyre monitorimeve dhe përkujdesjeve solli përmbytjet e vitit 2010, që pasuan me dëme të mëdha materiale dhe shkatërrimin ekonomik të mijëra familjeve, që ende nuk janë kompensuar. Hidrografia u shndërrua nga shkencore në primitive në përputhje me interesat e biznesit të përbashkët me agjenci dhe biznesmenë të vendeve fqinjë. Është për të vënë në dukje këtu, se llogaritjet e dëmeve për familjarët e Rajonit të Shkodrës janë bërë vetëm për të mbjellat, dhe është anashkaluar, dëmi i sjellë strukturës së tokës nga qëndrimi për një kohë relativisht të gjatë të ujit mbi tokën bujqësore, duke shkatërruar dhe përbërjen e saj. Për këtë ngjarje të fundit u ndërmor një projekt madhor, që katandisi në disa mballoma në pak vende dhe një pjesë e mirë e granteve të dhëna, përfunduan në xhepat e njerëzve të pushtetshëm, që e kanë bërë rrugë normale përvetësimin e fondeve publike, borxhet e të cilave do t’i lajë populli, që vigjilon në gjumë. Me gjendjen aktuale e them me kompetencë, që përsëri rajoni i Shkodrës është i rrezikuar për ndonjë lloj përmbytjeje. Dhe nuk është Zoti që i sjell këto prapësi, po është grykësia e politikanëve tanë, injoranca e tyre, bile dyshoj se një pjesë e tyre i shërbejnë dhe organizatave të caktuara antishqiptare, për ta bërë Shqipërinë Tokë të Djegur. Dua të përmend këtu se për shkak të ngrohjes globale, do të rritet niveli i Oqeanit Botëror për rreth 2.0 m, brenda shekullit 21. Kjo e dhënë përkthehet se një pjesë e mirë e Ultësirës Adriatike do të mbulohet nga uji. Për këtë gjë duhet përpiluar një strategji e re për ndërtimet urbane dhe turistike në rajonet bregdetare. Duhet të veçohen zonat e mundshme të rrezikuara dhe të përcaktohen zonat më të përshtatshme për zhvillimin urban. Një fakt dëshpërues është paraqitja e raportit Eksport- Import në masën 1:9. Dihet pra që pothuajse të gjitha produktet ushqimore ne i marrim nga jashtë. Po nuk është vetëm këtu e keqja. Të gjitha këto produkte nuk janë të kontrolluara. Nga disa sondazhe të bëra është vërejtur se pjesa më e madhe e produkteve të importuara janë jashtë standardit europian, janë të skaduara, janë me etiketa të falsifikuara. Është për t'u përmendur që në disa vende fqinj me ne, janë ngritur fabrika me destinacion Shqipërinë, që prodhojnë produkte poshtë nivelit të standardit europian dhe me ndikime anësore, si për sëmundje të ndryshme ashtu dhe me indikacione dëmprurëse në të gjitha aspektet jetësore të shqiptarëve. Kjo lloj traume që po kalojmë, bëhet vetëm për të kënaqur dhe pasuruar një kastë të caktuar njerëzish të lidhur ngushtë me pushtetarë dhe politikanë të të gjitha ngjyrave. Më ka bërë përshtypje Programi i dy partive kryesore: PD dhe PS. Kam vënë re me çudi në programin e PDsë mungon fjala Shkencë. Nuk kam parë asnjë objektiv për punën shkencore. Duket se kanë ndërmend të vazhdojnë me metodat e para, duke e quajtur të volitshme gjendjen aktuale. Po dielli nuk mbulohet dot me shoshë. Është e qartë se drejtimi nga kasta e tyre do të vazhdojë në mënyrë nallbane. Tjetër gjë është programi i PS-së. PS angazhohet: të mbështesë kërkimin shkencor duke konsideruar progresin shkencor, si paraprirës të zhvillimit shoqëror, ekonomik, kulturor, të konsolidimit demokratik dhe pjesë themelore të imazhit të Shqipërisë; krijimi i fondit kombëtar për shkencën; kombinimi i burimeve publike dhe private në shërbim të forcimit të kërkimit shkencor; zhvillimi i mundësive kërkimore në vend me anë të ripërtëritjes tërësore të hapësirave studimore dhe laboratorëve kërkimorë; mbështetje për Akademinë e Shkencave, për ta kthyer në forcë shtytëse të veprimtarisë kërkimoreshkencore në vend dhe përfaqësuese e denjë e komunitetit shkencor; demokratizimi i drejtimit të Instituteve shkencore; garantimi i sinergjisë midis zhvillimit të shkencës dhe arsimit, si dhe midis zhvillimit shkencor dhe programeve të zhvillimit kombëtar; sigurimi i kualifikimit korrekt dhe transparent i personelit akademik; skualifikimi i mediokritetit dhe mashtrimit në punën shkencore. Programi është interesant po për mendimin tim dhe të disa kolegëve të mi, ka aspekte që duhen pasuruar dhe plotësuar. P.sh problemi i Akademisë së Shkencave ka vend për diskutim. Një pjesë e akademikëve të zgjedhur vlejnë për diskutim. Me sa jam vënë në dijeni, i njëjti problem ka dalë dhe për A.SH-në e Kosovës. Pra propozimi ynë është që të krijohet me vullnetin e mirë të dy qeverive (të Shqipërisë dhe të Kosovës ) një A.SH panshqiptare me pjesëmarrjen e të gjithë shkencëtarëve shqiptarë, brenda territoreve tona si dhe jashtë; zgjedhja të organizohet pa pjesëmarrjen e politikës. Le të dalin më të mirët dhe më të afirmuarit.