E Enjte, 5 Nëntor 2026

Strategjia e zhvillimit të biznesit dhe investimeve, Denaj konsultim me ndërkombëtarët

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj nisi sot me bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, serinë e takimeve për konsultimin publik të Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve për periudhën 2021-2027.   Denaj tha se “kjo strategji përmban disa nga shtyllat e programit tonë zhvillimor dhe do të jetë platforma e ardhshme e mbështetjes për sipërmarrjen dhe investimet në vend”. “Së bashku, me biznesin dhe partnerët e tjerë, qeveria shqiptare, synon të zhvillojë më tej një ekonomi konkurruese, të drejtuar nga inovacioni dhe dixhitalizimi, për integrimin rajonal dhe europian”, tha Ministrja.   Vizioni i kësaj strategjie është një ekonomi shqiptare konkurruese, e nxitur nga inovacioni dhe e bazuar në njohuri e cila krijon vende pune të reja dhe më cilësore, duke shfrytëzuar mundësitë që ofron transformimi i zinxhirit të vlerave ndërkombëtare, me theksin mbi zhvillimin e qëndrueshëm, në integrimin europian dhe atë rajonal.   Fushat subjekt i ndërhyrjeve dhe objektivat e politikës kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve dhe ndërkombëtarizimin, zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla të Mesme, sipërmarrjes dhe inovacionit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›