E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia në veri, pa dhunë

Institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë nuk do të përdorin dhunën për të zbatuar strategjinë për shtrirjen e autoritetit ligjor në veri të Kosovës.

Ky konstatim doli sot pas takimit ndërmjet komandantit të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralit Mark Fitzgerald dhe dy zëvendëskryeministrave të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka njoftuar admiralin Fitzgerald lidhur me gjendjen në veri të vendit dhe lidhur me Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për të siguruar rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

“Kjo strategji nuk ka plan të përdorë forcën por me mjete demokratike të integrojë këtë pjesë të Kosovës. Përkrahja që mund t'i japë KFOR-i kësaj strategjie është esenciale në krijimin e besimit tek të gjithë qytetarët Kosovës”, ka thënë Kuçi, pas takimit.

Ai ka përsëritur se veprimet e institucioneve kosovare do të jenë të matura dhe të koordinuara me faktorët ndërkombëtarë.

Admirali Fitzgerald ka thënë se KFOR’i është i gatshëm të reagojë për të ruajtur stabilitetin në Kosovës, por e ka përjashtuar mundësinë e përzierjes së çështjeve politike me ato ushtarake. “Çështjet politike kërkojnë zgjidhje politike”, ka thënë Fitzgerald.

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se zvogëlimi i forcave të KFOR-it është shenjë se Kosova tanimë është vend stabil dhe i qetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›