De Rada, arbëreshi i madh që frymëzoi Rilindjen
Gazetaria, folklori, poezia, historia, gramatika, filologjia, etnologjia, estetika, politika, etika, asgjë nuk u mohua prej penës së tij… madje admiruesit e vet thonë se kjo pjellori atij i vijoi edhe te gabimet. Ashtu si njerëzit e tjerë të dedikuar ndaj një ideje të vetme, ai zhytej kaq guximshëm edhe në ato fusha të mendimit në të cilat specialistët kanë frikë të lëvizin qoftë edhe një hap. Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha vetëm diçka kumbon gjithmonë, po njëlloj, patriotizmi i lartë, për ti shfaqur kështu si fragmente zemre; ja pse me plot të drejtë rrëfehet se ai diti të shfrytëzojë edhe gramatikën e ftohtë të gjuhës, si fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e Shqipërisë. Edhe atëherë kur për disa zakone a doke të caktuara kishte ide shumë të vagullta, De Rada nuk u interesua shumë të informohej; rregullohej e ambientohej lirisht në çdo fushë falë bindjes se vula e etnicitetit shqiptar ishte para së gjithash gjuha, religjioni antik i atdheut, kujtimet e Skënderbeut dhe ideali i rifitimit të pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur. Pjesa tjetër mund të qe edhe e përafërt, ajo sprishte punë. Në thelb, që në rini De Rada shfaq mbresat e ekzistencës së një bote të vet poetike, përtej asaj të fituar nga leximet. Këngët popullore i afruan një fushë të re ku të mund ta jetonte këtë botë, e një gjuhë të re, më të freskët e më arkaike, për ta bërë atë më interesante. E ai u krodh në të pa shumë shkujdesje, duke zbukuruar shumë prej motiveve të shkollës romantike, përtej atyre tassiane apo të këngëve tradicionale. Rezultati qe një përshtypje e thellë dhe e lumtur e lexuesve tashmë të mësuar me fantazinë e tassianëve dhe romantikëve, e që të shtyrë prej parimeve të kësaj rryme, prisnin me festë gjithçka që mund të tingëllonte si një epikë autentike popullore. Megjithatë, nuk besoj, nënvizon Valentini, se një lexues shqiptar i epokës do të kish njohur, përtej gjuhës dhe frazeologjisë, shumë prej botës së tij në poetikën e autorit. Nuk mund ta themi nëse De Rada ishte apo jo i ndërgjegjshëm për një gjë të tillë; e nëse qe, nuk mund të shtojmë nëse kjo ndërgjegjshmëri do ta kishte shmangur vallë nga mënyra e tij e të shkruarit (nisur nga bindja se, nëse do të donte, ai fare lehtë mund të shkruante edhe ndryshe). Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me poemat e tij ai sndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ish i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë. Gjithsesi, duhet nënvizuar dhe fakti tjetër; këto lloj veprash, ai jo vetëm i botonte, por dhe i ndiente si gjëra të mëdha. Edhe ne që jetojmë sot në një distancë të mjaftueshme kohe për tua vlerësuar brendinë dhe efektet, pas gjithë atyre komenteve e kritikave duhet të arrijmë në përfundimin e njëllojtë, se bëhet fjalë për diçka të madhe. Po si, vallë, mund të shpjegohet kjo gjë? Për të dhënë një përgjigje të drejtë, këtu lipset të dalim nga fusha e letërsisë, e artit apo erudicionit, e historisë apo çfarëdolloj fushe tjetër. Pasi na duhet të shqyrtojmë thellësisht historinë e jetës së tij, madje më tepër, atë të shpirtit të tij, që aspak për kryelartësi a sipërfaqësueshmëri, a e bëri të ditur në Autobiologjinë e vet. Është njohur që më parë, por është risaktësuar edhe kohët fundit, se i ati i De Radës, ashtu si gjyshi e stërgjyshërit e tij, në përputhje me ritet dhe zakonet e Kishës Bizantine së cilës i përkiste pjesa më e madhe e arbëreshëve të Italisë, patën qenë priftërinj. Po kështu njihet dhe fakti se ai krenohej duke thënë se i përkiste një race të përpunuar, të kultivuar, pa harruar të theksojë se fusha e mburojës së shtëpisë sonë është e bardhë, si e Guelfëve; prej kësaj, mund të kuptohet lehtësisht se autori duhet të ketë qenë një kristian i thekur dhe i devotshëm, çka hedh poshtë disa zëra mbi antiklerizmin e tij. E në fakt, për një antiklerizëm të vërtetë deradian është e pamundur të flasësh: bëhet fjalë vetëm për disa shprehje të shpengura dënimi, për disa forma të caktuara të praktikave religjioze popullore, të lejuara apo të favorizuara nga kleri; pjesa tjetër e botëkuptimit të tij fetar përbëhet nga shenjat e një besimi të fortrrënjosur në ndërgjegje. Për të e keqja më e madhe është se marramendja e fortë që shkaktuan në mendjet e dobëta zbulimet moderne të shumë forcave të Materies, solli zhvendosjen e përqendrimit te prania e Qenies spirituale dhe të padukshme, për të preferuar kësisoj, siç thuhet në gjuhën popullore, shërbëtorin në vend të padronit. Ja pse shndërrohet në themelor pohimi se privilegji i njerëzve dhe i kombeve (e këtu duhet vërejtur me kujdes edhe përfshirja e fjalës kombe) qëndron në njohjen e autorit të botës dhe të qëllimeve të tij. E ky është një çelës goxha i përdorshëm në zbërthimin e profetizmit deradian. Përveç krenarisë së origjinës së vet, një rëndësi të madhe ai u jepte edhe fillesave të para të jetës spirituale, që i gjejnë gjurmët e tyre në moshën 13-vjeçare. Ia vlen të zgjatemi duke lexuar rrëfimin e tij: … Në atë vit librat asketikë nisën të zëvendësonin Tasson dhe leximet e tjera. Madje, ndalova të lexoja çfarëdolloj libri tjetër që nuk qe i shenjtë, duke preferuar manualet e historisë religjioze. Duke e menduar sot një gjë të tillë, këtë ndryshim ia atribuoj Mirësisë hyjnore të ardhur përmes leximeve të shumta, natë e ditë në Institutin e Shën Dhimitrit, veçanërisht mbi jetën e Shenjtëve të Kishës. Digjesha nga dëshira të isha përherë me ta… Nisa kështu të flisja e të flisja për ta edhe me shokët e mi. I bindur në vërtetësinë që sapo kisha rrokur, mbajta një rrëfim për Pashkë, në ditën e Kungimit të shenjtë, që e mrekulloi Dom Karmine Dramis nga Mbuzati. Që atëherë, herë pas here profesorët vinin netve e dëgjonin pas porte, ato çka unë u thoja fëmijve të tjerë në dhomën ku flinin…. Nga ana tjetër, është e vërtetë që e gjithë kjo zjarrmi shpirtërore, De Radës iu ftoh që një vit më pas, për shkak ndoshta të qetësimit të ardhur nga jeta pa rregulla e pa orar në shtëpinë e prindërve gjatë pushimeve të verës apo të miqësisë së ngushtë që ai lidhi me një vërsnikun e tij në fshat; por përsëri, parimet e veta të besimit brenda autorit ngelën përgjatë gjithë jetës të gjalla e vepruese, në udhëheqje të çdo gjykimi e mendimi të tij. Aq më tepër që ato herë pa here vinin e zgjoheshin nga ndodhi të caktuara providenciale, ndaj të cilave ai mbeti gjithmonë i ndjeshëm në shpirtin e vet pa dyshim të pasur me prirje mistike dhe aspak të zakonta. Për ta dëshmuar këtë, mjafton të shohim qëndrimin e tij përballë disa fakteve të caktuara, që te çdokush tjetër do të quhej, nëse jo i palogjiktë, pa dyshim i papritur. Mund të përmendim këtu rastin e procesit gjyqësor në dëm të të vëllait, shërimit të tij të mrekullueshëm pas sëmundjes së vitit 1840, apo edhe një herë shërimin e madhërishëm të një vëllai tjetër pas një sëmundje të rëndë. E në të gjitha këto momente, siç shpjegon Zef Valentini, me autoritetin e vet të padiskutueshëm që i jep njohja e thellë dhe rigoroze e mistereve të kësaj fushe, te De Rada ia vlen të shënohet ai lloj fluturimi pindarik, tipikisht mistik, që e lidh lajmin e një mirësie të kryer jo me sensin e një mirësie personale, por të një vizioni të gjerë teologjik të gjithë-atësisë së Zotit. E në lidhje me këto fakte e shpjegime, edhe vetë autori në shkrimet e tij, ka një koment që vlen për të gjithë ata studiuesit e veprës së vet që përpiqen ta matin e ta vlerësojnë De Radën, pa i atribuuar religjiozitetit të autorit një rëndësi themelore. Unë do të rrëfej gjithmonë veç për suksese të vërteta, edhe pse e di shumë mirë se i flas një gjenerate shumë kryeneçe, që ka për divizë shprehjen Quid est veritas? (Ku
