E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas statutit, PS zgjedhje në degët lokale

Selia rozë pritet të vërë në jetë ndryshimet e fundit në statutin e partisë

Miratimi i ndryshimeve statutore i ka hapur rrugën një fushate të re zgjedhore në Partinë Socialiste. Rikrijimi i dy strukturave të reja si Asambleja e Rrethit dhe Kryetari i PS së Rrethit e bën të detyrueshëm kalimin në një proces elektoral që në kuptim të koniunkturave të brendshme dhe dinamikës së interesave që lidhen me specifikat lokale ka një rëndësi të dorës së parë. Kjo kuptohet fare lehtë po të shihet mënyra e zgjedhjes dhe ajo çfarë këto institucione përfaqësojnë në nivel lokal. Kështu, kreu i PS-së së rrethit që zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste ku bëjnë pjesë delegatët e Kongresit, drejtuesit e Organizatave Socialiste, drejtuesit e grupeve socialiste në komuna dhe bashki, por edhe kryetarët e komunave dhe bashkive përbën një hallkë që qendërzon veprimin politik të PS në bazë. Koordinimi i këtij procesi me të drejtën e Kryesisë për të miratuar kandidaturat është një marrëdhënie që shenjon përgjegjësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në këtë proces ku pritet të hyjë ky formacion politik. Për këtë arsye aksioni që buron nga “legjislacioni” i ri socialist përvijohet vetiu si një moment që lidhet drejtpërsëdrejti me stabilitetin e brendshëm të PS, i prekur periodikisht nga tensione që jo rrallë kanë ndikuar prirjen e fortë solidarizuese të anëtarëve të saj. Në këtë kuptim, procesi shfaqet si një sfidë politike për kreun e PS, Edi Rama që aktualisht ka një mundësi për të zgjeruar konsensusin real për veten, por edhe për ekipin që drejton partinë. Zgjedhjet pararendëse të zhvilluara sipas parimit “Një anëtar – një votë”, në kushtet kur kryetari i ri synonte stabilizimin e pushtetit të vet duket se kanë krijuar pakënaqësi dhe një raport përfaqësimi jo shumë përfshirës. Prioriteti i ardhjes në pushtet, parë në dritën e gabimeve të bëra në 28 qershor 2009 e ka bërë të detyrueshme kthimin tek institucionalizimi i punës me bazën dhe qytetarët, të cilëve PS po synon t’u japë një shtysë të re. Suksesi i saj që në fakt do të unifikohet me suksesin e Ramës si kryetar partie do të testohet në procesin elektoral të pushtetit vendor, i cili do të duhet të korrektojë ato humbje që u dëshmuan në 2007. Lidhur me këtë, një mendim që po merr jetë është edhe ndjekja e një kursi ekuilibrues në bazë që kombinon “lëshime” reciproke në strukturat vendore, aty ku grupe oponente ndaj vijës zyrtare kanë një peshë të ndjeshme. Si e tillë, nëse materializohet fushata zgjedhore ka mundësi të transformohet në një proces unifikues për PS.

Një element i ri dhe sipas gjasave me shumë peshë specifike në këtë fushatë zgjedhore në bazë është edhe roli i ndryshimeve programore në politikat e PS me shtresa të ndryshme sociale. Interesi i shfaqur dhe i institucionalizuar për kategori deri më tani të vlerësuar si ekskluzivisht të djathta, si ish të përndjekurit dhe ish-pronarët hap një kuadër të ri veprimi. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se ndër kandidaturat që kanë nisur të qarkullojnë si emra të preferuar për t’u miratuar nga kryesia janë edhe persona që vijnë nga shtresa të këtilla. Edhe pse herët për të gjykuar mbi pasojat e një nisme të këtillë, është e pritshme që efektet të jenë nga më të ndryshmet. Rast i veçantë është Shkodra ku rezultatet elektorale për PS kanë qenë tradicionalisht të ulëta për shkak të paragjykimit politik të trashëguar. Për këtë arsye kjo do i jepte kuptim ndërhyrjeve të tilla pavarësisht se konservatorizmi i bazës socialiste mund të rezervojë reagime të ndryshme. Por në parantezë të këtij zhvillimi është e qartë se nëse në pikëpamje organizative ai përbën një hap përpara edhe pse riaktualizon traditën, politikisht bart kosto pse hap një garë që vë në provë ekuilibrin e tanishëm.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›