E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stringa: PD të rrisë demokracinë brenda saj

Anëtari i kryesisë së PD-së, Omer Stringa, flet për qeverinë e re dhe zhvillimet në PD


"Partia Demokratike ka mjaft figura, të cilat meritojnë të jenë në qeveri, gjykoj që ata plotësojnë kushtet për të qenë në qeveri"


TIRANË - Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Omer Stringa, komenton në një intervistë për gazetën "Shekulli" bashkëqeverisjen PD-LSI, si dhe shmangien e strukturave të partisë nga formimi i qeverisë së re.


Edhe pse shprehet se është e drejtë ekskluzive e Kryeministrit Berisha që të emërojë qeverinë e re, Stringa ka shpjeguar ndër të tjera gjatë intervistës, se jashtë kabinetit qeveritar mbetën mjaft figura të PD-së.


Z. Stringa, si e gjykoni marrëveshjen midis PD-së dhe LSI-së për bashkëqeverisje, si dhe qeverinë e dalë nga kjo marrëveshje?


Unë gjykoj që kjo marrëveshje është një zgjidhje, që erdhi si rezultat i domosdoshmërisë nga rezultati i zgjedhjeve. E dyta, gjykoj që, nëse marrëveshja do të jetë e sinqertë, me ide të sinqerta, unë mendoj se atëherë do të ecë përpara dhe do të japë rezultate pozitive.


Ju si anëtar i kryesisë, a mendoni se të paktën ky organ duhet të ishte informuar për përbërjen e qeverisë së re, pasi siç e tregoi edhe koha tashmë, kabineti i ri qeveritar u formua pa konsultimin e strukturave të larta drejtuese të partisë?


Unë jam gjithmonë i mendimit që Kryeministri i mandatuar ka të gjithë të drejtat për të përcaktuar qeverinë. Në këtë rast, Kryeministri i mandatuar ka qenë kryetari i partisë sonë, i mandatuar nga Presidenti dhe unë e quaj absolutisht të rregullt, që Kryeministri e bën qeverinë dhe mban përgjegjësi për njerëzit që zgjedh.


Kryesia nuk është njoftuar, sepse një pjesë e madhe e anëtarëve të kryesisë janë në grupin parlamentar. Edhe nëse kryesia do të mblidhej, unë personalisht do të isha i mendimit që të drejtën për të përcaktuar anëtarët e qeverisë e ka Kryeministri, pavarësisht nga pretendimet që mund të ketë pasur. Është e drejtë ekskluzive e Kryeministrit të mandatuar.


Z. Stringa, si e gjykoni faktin që shumë figura të PD-së janë shmangur për të qenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar?


Unë besoj se kabineti i ri qeveritar, për shkak të marrëveshjes me partitë e tjera, për shkak të numrave që janë në Parlament, brenda mundësive i ka përfshirë figurat politike. Natyrisht, Partia Demokratike ka mjaft figura, të cilat meritojnë të jenë në qeveri, gjykoj që ata plotësojnë kushtet për të qenë në qeveri, flas të paktën për pjesën që i përket Partisë Demokratike.


Ne shpresojmë që qeveria nuk mbaron vetëm me ministrat. Qeveria është shumë e madhe dhe unë shpresoj se të gjitha figurat e PD-së do të gjejnë vendin e tyre në qeverisjen e drejtuar nga Partia Demokratike.


Në një kohë të afërt pritet që të mbahet edhe Kongresi i Partisë Demokratike. Çfarë prisni nga ky kongres, përpos detyrave që parashikon statuti i PD-së?


Kongresi i partisë do të zhvillohet brenda këtij viti. Le të shpresojmë që Partia Demokratike do të rrisë demokracinë për të ecur sa më mirë. Mendimet e mia për çështjet e demokratizimit të partisë i kam thënë, me qëllim që partia të kishte rezultate më të mira nga këto që ka pasur.


Jam i bindur se demokratizimi do t'i shërbejë në të ardhmen qeverisjes sa më të mirë të vendit. Nëse këto nuk do të merren në konsideratë, pra sugjerimet për demokratizimin e partisë, qeverisja do të ketë probleme në të ardhmen.


A duhet riformatim i lidershipit të PD-së?


Pavarësisht nga opsionet që unë mund të kem, unë kam një parim që fitimtarët nuk mund të gjykohen.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›