TIA: Partitë, jo transparente. Fshehin shpenzimet e fushatës
TIRANË- Transparency International Albania ka publikuar raportin e saj të fundit për financat e partive, sipas të cilit partitë kanë fshehur shpenzimet dhe faturat e fushatës elektorale.
TIA bën thirrje që partitë t'i japin fund heshtjes së tyre të plotë lidhur me një transparencën që duhet të bëjnë për fondet e tyre.
"Partitë politike janë në mungesë transparence dhe nuk respektojnë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor"- thuhet në raport, madje në të ngrihen edhe dyshime se fushata mund të jetë bërë edhe me financime të paligjshme, apo me fonde publike.
"Informacioni ekziston vetëm për fondet e përftuara nga buxheti i shtetit por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat nga donacionet private. Në asnjë nga mjetet e informimit publik partitë politike nuk kanë deklaruar shumën totale të shpenzimeve të tyre gjatë kësaj fushate elektorale. Për këtë i kërkojmë sa më parë partive politike të bëjnë publike sa më parë shumën e shpenzimeve të tyre pasi kjo është mënyra më e mirë për të verifikuar respektimin e Nenit 90 të Kodit Zgjedhor i cili parashikon ndalimin e shpenzimeve më të mëdha se 10 fishi i shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike"- thuhet në raport.
Publikimi i listës së kontributorëve të fushatës elektorale të partive politike, sipas TIA është mënyra më e mirë për të kontrolluar respektimin e Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon financimin nga subjekte të posaçme si investitorët me fonde publike, financuesit e huaj etj.
"Përdorimi i fondeve publike në fushatë është një shqetësim i shprehur si nga raportet e ndërkombëtarëve ashtu edhe media vendase, por publiku ende nuk di masën në të cilën është thyer ligji dhe përkatësisht Neni 3/pika 7 dhe Nenin 88 të Kodit Zgjedhor , i cili ndalon përdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale"- thuhet më tej.
Transparency International Albania propozon hartimin e një ligji të plotë për financimin e partive politike (ligj që përfshin jo vetëm çka ndodh në fushatë, por edhe midis dy fushatave) duke synuar respektimin e Nenit 9 të Kushtetutës.