Zgjedhjet në PS, Ndreu fiton Tiranën

Në betejën e "ashpër" të kryeqytetit triumfon Pjerin Ndreu me 116 vota kundrejt 39 vota të marra nga Doracaj
I dërguar i PS në kryeqytet, Namik Dokle, sqaroi procesin që do të ndiqet për Asamblenë e Rrethit
TIRANË- Partia Socialiste vijoi dje procesin e zgjedhjes së kryetarëve të rrethit në disa prej zonave kryesore, nga ku vlen të theksohet rrethi i Tiranës.
Pas një procesi që zgjati për rreth dy orë, fitues i betejës për rrethin e Tiranës doli Pjerin Ndreu me 116 vota kundrejt kundërshtarit të tij Bledar Doracaj me 39 vota, si dhe 4 vota u shpallën të pavlefshme. Përzgjedhja e kandidaturës u zhvilluar në sallën e Akademisë së Arteve.
Fjalën e hapjes e mbajti deputeti i qarkut të Tiranës, Namik Dokle, i cili ishte edhe i dërguar i PS për mbikëqyrjen e procesit. Zyrtari lart socialist shpjegoi gjithashtu procesin që do të ndjekë PS pas ndryshimeve të reja statusore. Pas tij, ishin dy kandidatët të cilët shpalosën platformën e tyre përpara anëtarëve të Asamblesë së Rrethit, se çfarë do të bënin nëse do të merrnin e drejtimin e rrethit të Tiranës.
Dokle
I dërguar i Partisë Socialiste, Namik Dokle, bëri dje të ditur për anëtarët e Asamblesë së Rrethit të Tiranës se me ndryshimet statutore, të bëra në Kongresin e fundit, është vendosur që çdo rreth të drejtohet nga kryetari i PS së rrethit.
"Njëkohësisht përveç këtyre, në një periudhë të dytë do të zgjidhen edhe sekretarët. Në çdo rreth sipas numrit të ZAZ-ve që ka çdo sekretar, një rreth me një ZAZ do të ketë një sekretar, një rreth me tre ZAZ do të ketë tre sekretar edhe kështu me radhë", sqaroi Dokle.
Njëkohësisht, vijoi ai, do të zgjidhen edhe koordinatorët për çdo njësi vendore, të cilët pastaj do të përbëjnë asamblenë e plotë e rrethit përkatës që nga Hasi deri në Kolonjë. Më tej, zyrtari socialist nënvizoi se është bërë një proces i gjerë konsultimi dhe çdo asamble e njësive vendore kanë bërë propozimet konkrete për kandidaturat për kryetar të PS të rrethit.
"Janë bërë propozime të kandidaturave me cilësi, janë njerëz të impenjuar me pasion politik për të punuar me socialistët dhe të tjerët me të gjitha njësitë vendore të rrethit të Tiranës, për t'u përgatitur për betejat e ardhshme që ka PS, duke pasur parasysh kontributet e secilit", u shpreh deputeti i qarkut të Tiranës.
Sipas tij, në Kryesinë e PS, nga të gjitha kandidaturat, janë përzgjedhur nga dy kandidatura në të gjitha rrethet, me përjashtime të veçanta. Pas fjalës së tij, ai prezantoi dy kandidaturat, Bledar Doracaj anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS dhe Pjerin Ndreu anëtari i PS.
Kandidatët
Fillimisht, ishte anëtari i Asamblesë Kombëtare i PS, Bledar Doracaj, i cili mori fjalën përpara anëtarëve të Asamblesë së Rrethit të Tiranës. Ai deklaroi se vetëm disa ditë më parë kishte mbushur 18 vjet që është anëtarësuar në PS dhe në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç. "Në asnjë çast, ditë apo javë, nuk jam shkëputur dhe larguar nga ideali im, dhe familjes nga e cila rrjedh.
Sot më shumë se kurrë ne socialistët duhet të jemi më të bashkuar dhe më solidar me njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu mund të bëjmë realitet transparencën e mohuar dhe të triumfojmë me rezultate bindëse në betejat e ardhshme elektorale", u shpreh Doaracaj.
Ai premtoi se nëse votohej si kryetar i PS së rrethit "do të vazhdojë pa ndërprerje punën e nisur nga vetë anëtarët, duke krijuar një ekip dhe skuadër miqsh që në themel ka integritetin moral dhe politik". Më pas, ishte kandidati tjetër, Pjerin Ndreu, i cili në fjalën e tij theksoi se synonte për bashkëpunim njerëzish me ideale që punojnë pa kushte, pa paragjykime dhe që kanë kurajë të përballen.
"Ne na duhet të gjejmë urat e takimit se kemi një mision shumë të rëndësishëm: Rikthimin e PS në pushtet. Unë besoj tek kapaciteti juaj fitues dhe bashkëpunimit. PS ka nevojë për gjithsecilin prej nesh, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Vetëm askush s'mund të arrijë asgjë, prandaj jemi të gjithë bashkë sot. Ne jemi të fortë nëse dimë të jemi bashkë, nëse dimë të bashkëpunojmë", u shpreh Ndreu.
Ai tha gjithashtu se askush nuk mund të jetë i përjashtuar nëse kontributi i tij do të jetë në formatin e kërkesave morale dhe strategjike të PS. Por, vijoi zyrtari i PS, nga ana tjetër askush nuk mund të jetë pjesë e PS për të zhvatur, për të vënë kushte, për të përçarë, apo më keq, për të shitur idealet e tyre fisnike. Pas fjalëve të kandidatëve u zhvillua votimi, ku fitues u shpall Pjerin Ndreu.
Dokle dhe mbështetja për kandidatët
Në fjalën e tij, Namik Dokle, kërkoi që kandidatët nëse dëshironin të propozonin nga një vëzhgues, ta bënin, madje ai për këtë gjë insistoi. "Propozojeni një të jeni rehat. Tani propozohet edhe miratohet.
Nëse keni besim tek komisioni që zgjodhi kjo asamble që do t'ju votojë ju, atëherë jemi Ok. Atëherë do të jem unë vëzhgues", u shpreh deputeti socialist. Më pas, një anëtar i Asamblesë së Rrethit të Tiranës, u ngrit në këmbë dhe i kërkoi anëtarit të Kryesisë së PS se të thoshte se me kë kandidat ishte. "Jam me PS", iu përgjigj Dokle.
Votat e deputetëve
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së Rrethit tek Akademia e Arteve, ku zhvillohej zgjedhja për kryetarin e Rrethit të Tiranës, ishin të pranishëm edhe katër deputetë të Partisë Socialiste. Pasi u numëruan votat nga komisioni i zgjedhur nga Asambleja e Rrethit, rezultuan se katër prej këtyre votave ishin të pavlefshme.
Në fund të takimit, kur komisioni shpalli fituesit, dhe të gjithë anëtarët po largoheshin nga vendi në të cilin zhvilluan zgjedhjen për kryetarin, një prej tyre ngriti zërin në mesin e miqve të tij, që u dëgjua në të gjithë ambientin, duke thënë se: Votat e pavlefshme janë të deputetëve, se ato e kanë pasur të vështirë të zgjedhin një prej kandidatëve dhe votuan për të dy.
Rrethi i Beratit
Votimi zhvillohet sot
Rrethi i Bulqizës
Artur Kala 57 vota
Shahin Kaja 31 vota
Rrethi i Delvinës
Sotir Davella (Fitues)
Arjan Arizi
Fatbardha Ballaçi
Rrethi i Devollit
Arben Begolli (Fitues)
Rrethi i Dibrës
Ulusi Manja 105 vota
Drini Gjeci 23 vota
Rrethi i Durrësit
Votimi zhvillohet sot
Rrethi i Elbasanit
Astrit Halili 126 vota
Ndriçim Hysa 106 vota
Arben Kamami 92 vota
Rrethi i Fierit
Pëllumb Hazizi 139 vota
Xhavit Bushi 130 vota
Oldrin Alushi 48 vota
Rrethi i Gjirokastrës
Votimi zhvillohet sot
Rrethi i Gramshit
Votimi zhvillohet sot
Rrethi i Hasit
Halit Mula 26 vota
Selman Geca 24 vota
Rrethi i Kavajës
Xhavit Halili (Fitues)
Rrethi i Kolonjës
Ripërsëritet votimi
Rrethi i Korçës
Muharem Meko 139 vota
Arben Begolli 112 vota
Rrethi i Krujës
Ismail Dani 68 vota
Ramiz Treni 57 vota
Rrethi i Kuçovës
Votimi zhvillohet sot
Rrethi i Kukësit
Skender Ahmeti 39 vota
Ylber Duraku 27 vota
Rozafat Sopi 18 vota
Binak Halili 14 vota
4 vota të pavlefshme
Rrethi i Kurbinit
Dilaver Zypa 52 vota
Pashke Marku 4 vota
Rrethi i Lezhës
Agustin Marku 83 vota
Hasan Muça 35 vota
6 vota të pavlefshme
Rrethi i Librazhdit
Dita e votimit, e pavendosur
Rrethi i Malësisë së Madhe
Hysni Hysa 72 vota
Ruzhdi Duli 36 vota
Rrethi i Mallakastrës
Pajtim Ismaili (Fitues)
Ilir Çela
Rrethi i Lushnjës
Bujar Çela 168 vota
Astrit Xheka 115 vota
Rrethi i Matit
Myslim Zeneli 63 vota
Kasem Muça 9 vota
Rrethi i Mirditës
Pjetër Pjetri 63 vota
Gëzim Kacorri 54 vota
Rrethi i Peqinit
Julian Manahasa 25 vota
Bukurosh Maçi 35 vota
2 vota të pavlefshme
Rrethi i Përmetit
Votimi zhvillohet sot
Rrethi i Pogradecit
Ilir Xhangolli 73 vota
Fredi Katiraj 43 vota
Angjelina Andoni 13 vota
Rrethi i Pukës
Pjetër Marku 42 vota
Mark Nesuli 37 vota
Rrethi i Sarandës
Gjergji Mërkuri (Fitues)
Mimoza Arapi
Agim Çumani
Rrethi i Shkodrës
Votimi zhvillohet sot
Rrethi i Skraparit
Fatos Hasanaj (Fitues)
Rrethi i Tepelenës
Sulo Muçobega (Fitues)
Rrethi i Tiranës
Pjerin Ndreu 116 vota
Bledar Doracaj 39 vota
4 vota të pavlefshme
Rrethi i Vlorës
Kujtim Sulçe 163 vota
Arqile Mishtaku 87 vota
Rrethi i Tropojës
Votimi zhvillohet sot