Strukturat kërcënuese
Autoritetet e Aleancës Veriatlantike kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me funksionimin e strukturave paralele në Kosovë dhe janë zotuar se do të jenë të gatshëm të reagojnë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë vendin.
“Shkeljet e Rezolutës së KS’së janë një kërcënim për sigurinë. Pasi që institucionet paralele nuk pranohen me këtë rezolutë, ne jemi të shqetësuar në lidhje me to”, ka thënë të premten në Prishtinë, Admirali i NATO’s, Mark Fitzgerald.
Komandanti i forcave të përbashkëta në Napoli tha se struktura të tilla nuk e mbështesin stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, madje janë edhe një kërcënim për situatën e brendshme në vend.
Sidoqoftë, duke marrë parasysh karakterin politik të këtyre strukturave, ajo që KFOR’i mund të bëjë, sipas admiralit amerikan, është mbështetja e misioneve ndërkombëtare në trajtimin e këtij problemi, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.
Vendimi i fundit i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës, kishte nxitur reagime të ashpra në Prishtinë, sipas të cilave nuk përjashtohej as përdorimi i forcës për t’i shuar strukturat e tilla, që cilësohen të jenë jolegale.
Problemet kryesore në aspektin e sigurisë në Kosovë, e sidomos në pjesën veriore të vendit, sipas komandantit të KFOR’it Markus Bentler, kanë të bëjnë me mospajtimet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, që jetojnë në Kosovë. Ai mohoi që Kosovës aktualisht i kanoset ndonjë kërcënim nga jashtë. “Kërcënimet që i shohim, gjenden brenda Kosovës, ndërmjet grupeve etnike në Kosovë”, u shpreh Bentler.