E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku i vjetër

Kosova priti me nderimet më të larta shtetërore presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesic, i cili ka dhënë një kontribut të çmueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Disa javë para se të përfundojë mandatin e dytë pesëvjeçar në krye të shtetit korat, presidenti Mesic bëri vizitën e parë në shtetin e ri.

Institucionet e Kosovës janë përkujdesur që Mesic të mos harrojë kurrë vizitën në Republikën e Kosovës. Për të respektuar mikun kroat, Parlamenti i Kosovës është mbledhur në seancë solemne. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka dekoruar me Medaljen e Artë të Pavarësisë, ndërkaq Kuvendi Komunal i Prishtinë e shpalli Qytetar Nderi.

Për të nderuar ardhjen e tij në Kosovë, kryeqyteti është stolisur me flamuj kroatë dhe kosovarë dhe janë vënë billborda me fotografinë e tij për t’i dëshiruar mirëseardhje.
“Kam ardhur në Kosovë si mik - i shtetit të ri, por edhe i të gjithë qytetarëve të tij, edhe kosovarëve, edhe serbëve”, ka thënë Mesic gjatë fjalimit në Parlamentin e Kosovës, duke theksuar se në Kosovë jeton populli më i vjetër në këtë pjesë të Europës.

Vizita e presidentit të Kroacisë ka irrituar zyrtarët e Beogradit, të cilët vazhdojnë të luftojnë pavarësinë e Kosovës.

“Vizita ime Kosovës nuk është drejtuar kundër askujt. Ajo është vetëm në funksion të forcimit të marrëdhënieve tona bilaterale, por edhe stabilitetit dhe sigurisë në tërë rajonin”, ka thënë presidenti i Kroacisë.

Mesic nuk pëlqehet në Beograd që nga koha kur ai ishte president i Kryesisë së Jugosllavisë, në vitin 1990 dhe kishte parashikuar se do të jetë presidenti i fundit i kësaj federate. Pikërisht nga kjo kohë rrjedh simpatia e kosovarëve për politikanin kroat.

Presidenti Mesic ka folur të premten edhe për pozitën juridike të Kosovës në ish-Federatën Jugosllave.

“Pozita kushtetuese ligjore e Kosovës si krahinë autonome në ish-Jugosllavi ka qenë e zgjidhur në mënyrë të veçantë, në mënyrë e cila nuk gjendet askund në botë, kështu që është plotësisht e arsyeshme kur thuhet që Kosova është rast sui generis”.

Ai shtoi se Kroacia është udhëhequr mu në këtë kur ka vendosur që të pranojë Kosovën e pavarur.

Mesic i bëri thirrje Serbisë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

“Është e qartë që Serbia e ka vështirë të bjerë vendimin për pranimin e Kosovës. Shumë herë deri më tani kam thënë, do ta përsëris edhe sot: Serbia nuk do të thotë se duhet ta pranojë me çdo kusht Kosovën, por kurdoherë nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të interesave të serbëve që jetojnë këtu, duhet të vendosë një modus vivendi të caktuar për Kosovën”.

Porosia tjetër e Mesicit për Beogradin ishte që të mos ushqejë iluzione për kthim të prapa të rrotës së historisë sa i përket statusit të Kosovës. “Kjo është a pamundshme. Është shkatërruar ish-Federata e Jugosllavisë, të gjithë e dinë, tërë bota e di, kush e mban përgjegjësinë më të madhe për këtë shkatërrim dhe me këtë shkatërrim ka qenë vetëm pyetja e kohës kur do të vijë deri të pavarësimi i Kosovës. As Federata Jugosllave nuk mund të kthehet, e as Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen në të cilën ka qenë para shpalljes së pavarësisë”, ka theksuar presidenti kroat.

Mesic shprehu gatishmërinë që Kroacia, e cila është në prag të anëtarësimit në BE, të ndihmojnë integrimin e Kosovës në familjen evropiane. Ai kërkoi që i tërë rajoni të lërë pas të kaluarën dhe të punojë sa më shumë për të ardhmen, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Për ne në rajon ndërtimi i demokracisë është i lidhur pandashëm me nevojën për luftë të ashpër, të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në shtetet tona demokracia shtetërore, shikuar objektivisht, ende është në foshnjëri. Nuk duhet të lejojmë që të krijohet demokraci e trilluar, që demokracia të vlerësohet vetëm dhe vetëm sipas numrit të zgjedhjeve të mbajtura. Demokracia është shumë më shumë se kjo”, ka thënë ai.

“Le të jetojë bashkëpunimi mes Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovë dhe le të jetojë Kosova e lirë”, ka përmbyllur fjalimin e tij në Parlamentin kosovar, presidenti Mesic.
Presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar se Mesic është një nga personalitetet e rralla që në mënyrë energjike dhe konsistente ka mbështetur të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, procesin e njohjes së Kosovës, si dhe rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO. “Si president i fundit i ish-Federatës Jugosllave, në kohën kur Serbia e Milosevicit e kishte institucionalizuar dhunën brutale kundër shqiptarëve në Kosovë, Stjepan Mesic, si rrallëkush asokohe, mbrojti pa asnjë hezitim të drejtën tonë për vetëqeverisje dhe mëvetësi”, ka thënë Sejdiu.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Mesic ka dhënë një kontribut të madh për paqen dhe stabilitetin e rajonit, si dhe për lirinë e Kosovës.

“Kontributi i presidentit Mesic është i jashtëzakonshëm për krejt zhvillimet në rajon dhe perspektivën evropiane, jo këto vitet e fundit, por gjatë gjithë karrierës së tij politike na kujtohet vendosmëria e presidentit Mesic për paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se raportet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë do të avancohen edhe më shumë në të gjitha segmentet e jetës institucionale.

Ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se Mesic është udhëheqës i dashur i popullit mik kroat dhe burrështetas i respektuar në botë.

“Në Kosovë, presidenti Mesic çmohet si mik i madh, i cili mbrojti në kohë të vështira të drejtat legjitime të popullit tonë, kontribuoi për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për thellimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe popujve tanë. Republika e Kroacisë ishte një nga mbështetësit brilantë të pavarësisë së Kosovës në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, ka thënë ai.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, presidenti Mesic ka vizituar edhe trupat kroate të KFOR’it si dhe Janjevën, një qytezë 20 kilometra në jug të Prishtinës, e banuar me popullatë kroate.

Para se të largohet nga vendi ynë, ka pasur një takim edhe me komunitetin e biznesit kosovar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›