E Diel, 1 Nëntor 2026

Strukturat paralele në veri: EULEX të mos ndërhyjë

MITROVICË- Strukturat paralele serbe në veri kanë kërkuar EULEX-i që të jetë i durueshëm dhe të mos ndërhyjë në punët e pjesës veriore të Kosovës.

Sipas këtyre strukturave, është i papranueshëm mendimi që të funksionojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është e padëshirueshme në veri të Mitrovicës”,- ka theksuar Radenko Nedelkovic, i ashtuquajtur kryetar i qarkut të Mitrovicës.

Sipas mediave kosovare Nedelkovic ka kërkuar nga EULEX-i që të kundërshtojë futjen dhe veprimin e njësisë speciale ROSU në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës. Sipas tij, aktiviteti i kësaj njësie speciale të policisë në veri të Mitrovicës si nëpërmjet heqjes së targave serbe të makinave dhe arrestimi i njerëzve ka për qëllim që të demonstrojnë forcën me qëllim të frikësimit të banorëve.

Nedelkovic më tej ka shtuar se sjellja e tillë e kësaj njësie speciale të Policisë së Kosovës ka për qëllim provokimin e popullatës serbe dhe krijimin e një konflikti të ashpër.

Kryetari i Qarkut të Mitrovicës Radenko Nedelkovic ka kërkuar nga EULEX-i dhe policia lokale që me vendosmëri ta kundërshtojnë hyrjen dhe veprimin e këtyre njësive në territorin serb me qëllim të promovimit të gjoja ruajtjes së rendit dhe stabilitetit.

Ndërkohë mësohet se Nedelkovic ka shprehur edhe shqetësimin e tij se së shpejti do të ndërrohet komandanti i stacionit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës pa u konsultuar me organet lokale në veri të Mitrovicës.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›