E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvlerëson Enverin

Behgjet Pacolli zhvlerëson aktivitetet e fundit të Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj. Ai thotë se në New York dhe Riad nuk kryhet punë të mëdha për njohje. Ish-Presidenti vlerëson se lobimi bëhet nëpër shtete veç e veç. Ditëve të ardhshme pohon se do të vizitojë disa shtete, me pare të veta. Nga Shpend Limoni më 08 maj 2011 në ora 08:59

Behgjet Pacolli ende nuk e ka gjetur rehatinë brenda Qeverisë së Kosovës.
Ish-Presidenti i vendit pohon se ka raporte shumë të mira me kolegët e tij në ekzekutiv, por nuk duket shumë i kënaqur me disa punë që bëhen aty.

Pozita e re si Zëvendëskryeministër i Parë, Pacollit i ka sjellë kompetenca të mëdha në politikën e jashtme.

Ai i pritet të jetë në krye edhe të një taskë force, e cila do të përfshihet në lobim për njohje.

Por pikërisht kjo është edhe fusha ku Pacolli ka vërejtje.

E, kritikat ia ka adresuar Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Në një bisedë për Express, të shtunën, Pacolli ka thënë se “askujt nuk ia ka ngushtuar hapësirën, e as nuk i ka ndërhyrë në kompetenca”.

E, më pas ka folur për Hoxhajn duke komentuar vizitën e tij në Arabinë Saudite.
“Ministri i Punëve të Jashtme ka udhëtuar për Arabinë Saudite. Unë asnjëherë nuk do të udhëtoja në një mision të tillë, ku është pothuaj një mision pothuaj protokollar dhe nuk do të kishte sens vizita ime atje. Unë do të shkoj në ato shtete ku kemi nevojë që ato shtete ta njohin Kosovën dhe në ato shtete sa e di unë që dikush nga Kosova të udhëtojë atje për arsye se ato shtete nuk e njohin as Kosovën, as pasaportat e Kosovës dhe aty unë e ndiej veten si plotësues në diplomacinë e Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Pacolli nuk është aq entuziast as për paraqitjen që Ministri Hoxhaj pritet ta ketë më 12 maj në Këshill të Sigurimit, kur shtetet anëtare të këtij mekanizmi do ta diskutojnë raportin e OKB’së për Kosovën.

Pacolli e quan OKB’në një vend ku vetëm raportohet dhe jo edhe si mundësi të mirë për të lobuar për njohje.

Edhe pse posti i ri e ngarkon me detyra diplomatike, Pacolli duket se nuk e ka ndërmend të udhëtojë drejt New Yorkut javën e ardhshme.

“Sinqerisht për të qenë në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara dhe për ta definuar si lobim, unë nuk do ta quaja ashtu. Sigurisht që është i lidhur me lobimin, por lobimi për mua gjithmonë bëhet aty ku ka efekt. Efekti është sjellja e njohjeve, unë e di që në Kombet e Bashkuara do të jetë ai që do të shkojë nga Kosova. Është mirë që të jesh aty, por nuk e shoh si vend ku i kontribuon shumë Kosovës me lobim”, ka thënë Pacolli.
“Ne pak a shumë në mbledhjet e KS të OKB’së marrim pjesë në takime protokollare, takime të organizuara nga bashkësia ndërkombëtare për të raportuar si shkojnë gjërat në Kosovë, për ndodhitë në Kosovë, për progresin që po ndodh dhe ato janë të mira dhe duhet të ndodhin, por jo drejtpërsëdrejti që ndikojnë në lobim që një shtet ta njohë Kosovën. Lobimi bëhet me një diplomaci të targetuar në shtetin ku t’i veprojë dhe duhet të shkohet atje, të kontaktohen njerëzit dhe Kosova të prezantohet në mënyrë sa më dinjitoze dhe aty të diskutohet lobimi”, ka shtuar ish-lideri i AKR’së.
Derisa flet për lobimin, Pacolli thotë se ka plane të tjera. Ai ka shpjeguar se është duke pritur konfirmimin e disa shteteve afrikane dhe të Lindjes së Mesme në përpjekje për të siguruar njohje.

Edhe pse tashmë pjesë e Qeverisë së Kosovës, Pacolli kujdeset ta potencojë se udhëtimet që do t’i bëjë do t’i mbulojë me kuletën e tij.

“Unë dua pak edhe të kursej edhe në shpenzimet e rrugës dhe dua që t’i grumbullojë disa shtete që me një turne t’i vizitojë ato. Dhe jam duke pritur edhe disa termine që të më konfirmohen. Ju e dini se unë drejtpërsëdrejti targetoj njerëzit që mund ta ndihmojnë këtë proces. Disa presidentë të disa shteteve kanë konfirmuar vullnetin që të më takojnë dhe të bisedojnë me mua edhe disa jam duke i pritur. Dhe sigurisht turneu do të fillojë nga Libani në Kuvajt, edhe do të jem, besoj, edhe pse ende nuk më është konfirmuar, në Jemen dhe të vazhdojë në pjesë të Afrikës Veriperëndimore”, ka thënë Pacolli.

Ish-lideri i AKR’së ka edhe disa çështje të pasqaruara me Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme.
Ai ka thënë se ende nuk e ka parë planin e veprimit të MPJ’së dhe detyrat me të cilat do të ngarkohet ai në fushën e lobimit.

“Jam në pritje ta shoh një plan të veprimit që Ministria e Punëve të Jashtme e ka përgatitur dhe pas asaj unë shumë kisha dashur që ne të krijojmë atë taskë forcë që unë insistoj të ndodhë dhe aty normalisht të ndahen veprimet, jo kompetencat e secilit”, ka thënë Pacolli.

“Me Ministrin Hoxhaj ende nuk kemi pasur rast që të bisedojmë. Ne takohemi çdo ditë, por që të ulemi dhe të bisedojmë...”, ka shtuar ai.
Pacolli ka kujtuar kohën kur në cilësinë e Presidentit të vendit kishte biseduar me Ministrin Hoxhaj rreth planeve për lobim.

“Ju e dini, kemi pasur takimin e parë me Ministrin Hoxhaj dhe jemi dakorduar që t’ia fillojmë një diplomacie të ashtuquajtur ‘New Age’ të një gjenerate të re, të një diplomacie të sofistikuar dhe unë besoj se ky dokument, pasi që është vonuar, ndoshta nuk është përfunduar ende se nuk është një gjë që kryhet për një natë”.
Pavarësisht kritikave për agjendën e Hoxhajt, Pacolli megjithatë kujdeset që të thotë edhe fjalë të mira për kryediplomatin e vendit duke thënë se nuk dyshon në profesionalizmin e tij dhe në vullnetin e tij.

“Duhet të ndodhë edhe ky takim edhe të sinkronizohen gjërat, dhe idetë dhe veprimet. Do të ishim më të fortë dhe do të ishim më të suksesshëm dhe unë kërkoj gjithmonë hapësirën e veprimit tim, pa ndërhyrë në kompetencat e të tjerëve, por duke i krijuar vetes hapësirë për veprim”, ka thënë Pacolli.

E, derisa nuk kursen fjalët e mira, Pacollit i pëlqen ta sfidojë nga pak Ministrin e Jashtëm.

“Besoj se duhet ta plotësojmë njëri-tjetrin dhe jo t’i konkurrojmë njëri-tjetrit. Por edhe pse jo të bëhet një garë e brendshme për sukseset e Kosovës. Aty ku nuk ka një garë, edhe suksesi do të jetë më i zbehtë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›