Studentë të Akademisë së Arteve, koncert me orkestër
Me rastin e mbylljes së stinës koncertore 2009-2010 në sallën e Akademisë së Arteve, orkestra e studentëve të Akademisë në drejtimin e Alqi Lepurit, artist i merituar, mbajtën dje një koncert, ku u interpretuan pjesë nga kompozitorë si Sokol Shupo, çesk Zadeja dhe Liszt. E ftuar ishte edhe pianistja Merita Rexha Tërshana, pedagoge në Akademinë e Arteve dhe fituese e çmimit Kult 2010 si interpretuesja e vitit. Në program u interpretuan edhe vepra që prej kohësh i kanë munguar skenës shqiptare. Dy vallet simfonike të Shupos janë krijuar para viteve ‘90, dhe pas kaq vitesh luhen për herë të parë nën një interpretim të ri, nën një këndvështrimin bashkëkohor dhe të padëgjuar më parë për publikun. Koncerti për piano i çesk Zadesë është një nga veprat, klasike tashmë, më të mira të literaturës pianistike shqiptare. I krijuar gjatë kohës së studimeve në Rusi, sigurisht që mban shumë "gjurmë" të pianistikës ruse, çajkovskit, Rachmaninovit, por mjeshtëria e kompozitorit të madh shqiptar e bën që të dëgjojmë temat shqiptare, të pangatërrueshme, me të njëjtën madhështi.
Pianistja Merita Rexha Tërshana thotë se e shikon me krenari që kjo vepër kaq dinjitoze është krijim i një kompozitori shqiptar. “është shumë kënaqësi të sjellësh në skenë këtë koncert kaq të bukur, që tashmë është në fondin e artë të kulturës shqiptare”, ka thënë ajo. Vepra e tretë është poema simfonike "Preludet" e Liszt, e cila gjithashtu ka kohë që nuk interpretohet nga orkestrat shqiptare. I është kushtuar Torquato Tassos, poetit të rilindjes, nga vetë Liszti. Ajo është një nga veprat më përfaqësuese të muzikës simfonike të krijuara plot madhështi e frymëzim nga ky kompozitor. Koncerti ka qenë në të njëjtën kohë edhe një provim viti për studentët e Fakultetit të Muzikës, nga viti i parë te i viti katërt.
#