E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reality show për çështjen e paqes në Lindjen e Mesme

Francë 12 të rinj palestinezë dhe hebrenj do të diskutojnë për mundësitë e zgjidhjes

Një ‘reality show’ në Francë ka dalë me një ide shumë origjinale. Autorët e tij kanë vendosur të fusin në një vend 6 të rinj nga Izraeli dhe 6 nga Palestina për tri javë rresht. Qëllimi i kësaj shfaqjeje, që do të debutojë në vjeshtë, është shumë më i lartë se i të gjithë atyre ‘reality show’ që janë transmetuar në të gjitha televizionet e botës. 12 adoleshentë janë zgjedhur për të diskutuar dhe në fund për të dhënë një zgjidhje, sipas tyre për paqen në Lindjen e Mesme. Shfaqja që do të transmetohet para publikut francez nga “Kanali 5” do të krijojë gjatë tri javëve për 18-vjeçarët mjedisin e një konference për paqen. Të rinjtë duhet që të diskutojnë dhe të japim mendime e sugjerime për zgjidhjen e një konflikti që ua ka vështirësuar shumë jetën të dyja vendeve dhe që duhet të marrë fund në favor të paqes. Ideja është që në fund ata të dalin me një ide për paqen dhe mënyrën për ta arritur atë. Sigurisht që sipas krijuesit të kësaj ideje një shfaqje e tillë është më shumë simbolike, por që gjithsesi do të shërbejë për të treguar faktin se të rinjtë dhe njerëzit në përgjithësi janë shumë më të prirur për të zgjidhur konfliktet dhe për të gjetur mënyrat e këtyre zgjidhjeve se sa vetë politikanët, të cilët e kanë në fakt për detyrë ta bëjnë një gjë të tillë. Sigurisht që nuk do të jetë një program provokativ, por konstruktiv. Sipas autorëve, tregu tashmë është i ngopur me shfaqje spekulative dhe një shfaqje e tillë do të përçojë ide dhe vlera ndryshe. Përgjatë periudhës 3-javore, të 12 pjesëmarrësit do të jetojnë bashkë në një shtëpi, në një breg të Marsejës dhe nuk do të ketë filmime në dhomat e gjumit, apo tualetet, por vetëm në atë të ngrënies dhe të ndenjjes, në të cilat do të zhvillohen edhe diskutimet.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›