Studentët i kërkojnë dorëheqjen, Rama: Jam përpjekur të mos bie në kurthin e dhunës që kërkon gjak! Ata që qëllojnë me gurë e zare hekuri janë kriminelë, fëmijë të verbër të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama e cilësoi revoltën studentore kundër tij, që për pesë ditë është shoqëruar me tensione dhe përplasje, si një “kurth i ngritur dhune që kërkon gjak”.

Në një komunikim live në rrjete sociale, Rama kujtoi edhe vrasjet e 21 Janarit, duke krahasuar situatën e atëhershme me protestat e sotme.
“Qysh se kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e të koordinoj me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë, për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës, që kërkon gjak. Kërkohet gjak. Dhe unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar, ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk, në këtë perimetër, jo një kazan, jo një makinë, po ku nuk u prek me asgjë.”, tha ai.
Ai dënoi përdorimin e gurëve, vidave dhe sendeve të tjera kundër policisë, duke i cilësuar autorët si kriminelë, por theksoi se ata mbeten fëmijë të Shqipërisë dhe se jeta e tyre ka më shumë vlerë se çdo gjë. Rama shtoi se vetëpërmbajtja duhet të jetë parimi kryesor në këtë situatë.
Sipas tij, dëmet fizike në institucione dhe biznese mund të riparohen shpejt, por pasojat e tjera të krijuara nga kjo situatë janë më të mëdha.
“Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë e qëllojnë me zare hekuri e me vida, për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, përsëri unë e kam mirë parasysh që ata janë fëmijë “të verbër’’ të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës. Kështu që, vetëpërmbajtja është A-ja dhe Zh-ja e kësaj historie, ndërkohë që patjetër që dëmet nuk janë më të vogla, por ndreqen edhe ndreqen shpejt përsa i përket dëmeve fizike”, shtoi ai.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Nuk kam ikur dhe nuk është ose më saktë është e njëjta veshje, por nuk janë të njëjtat bluza ose e njëjta xhaketë. Gjithsesi pak humor me një pikë ujë në oqeanin e çudirave që thuhen dhe që përhapen dhe vendosa të jem këtu sot, t’ju shoh në sy, t’më shikoni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia, pasi për disa ditë, qysh se kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e të koordinoj me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë, për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës, që kërkon gjak. Kërkohet gjak.
Dhe unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar, ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk, në këtë perimetër, jo një kazan, jo një makinë, po ku nuk u prek me asgjë. Asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe ku u vranë me plumba nga kjo godinë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, të cilët nuk shkuan dot as në spital se edhe në spital i priste përsëri druri, dhe u mjekuan nëpër shtëpira. Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë e qëllojnë me zare hekuri e me vida, për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, përsëri unë e kam mirë parasysh që ata janë fëmijë “të verbër’’ të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës.
Kështu që, vetëpërmbajtja është A-ja dhe Zh-ja e kësaj historie, ndërkohë që patjetër që dëmet nuk janë më të vogla, por ndreqen edhe ndreqen shpejt përsa i përket dëmeve fizike. Të tjera janë dëmet e mëdha për të cilat do përpiqem të flas. E pra, prandaj unë kam qenë pak i përfshirë dhe “fushën” e kanë pasur të lire, ata që e fillojnë dhe e mbarojnë ditën, duke nxitur dhunë, ekranet e dhunës, ku nuk dëgjon asnjë që ta dënojë dhunën qartësisht.
Ky është një nga mijëra gurët e shkulur te trotuarëve të bulevardit “Dëshmorët e Kombit’’ për t’u hedhur mbi policinë. Është praktikisht një armë që mund të bëhet, deri dhe largqoftë, vdekjeprurëse. Imazhet që tregojnë televizionet kur shfaqin atë të ashtuquajaturin ‘’grupin e zjarrit’’, atë 200-300 qindëshen e maskuar që nuk ka asnjë lidhje me studentët, që nuk ka asnjë lidhje me të nesërmen e Shqipërisë por që është aty e yshtur, e gatuar nga duar të lloj-llojshme, nuk i shohin këto.