E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Petro Koçi kritikon deputetët e PS-së: Po legjitimonin ‘zgjidhjet’ e rrugës! “Prania Besnike” është ofertë amatoreske

Ish deputeti i PS, Petro Koçi ka kritikuar ligjvënësit socialistë, duke deklaruar se ata po legjitimojnë zgjidhjen e rrugës, në vend të zgjidhjes politike.

petro koci

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, e cilëson konceptin e “Pranisë Besnike” si një ofertë amatoreske dhe jo si një reflektim serioz e të përgjegjshëm për zgjidhjen e krizës.

NGA PETRO KOÇI

Ky entuziazmi i disa deputetëve të PS-së kur postojnë imazhin e Balliut në Lanë më duket një budallallëk dhe bumerang.

Më kujton ëndrrën e Saliut për ta tërhequr Edi Ramën zvarrë në Lanë.

Emri sigurisht që ka rëndësi.

Dhe Balliu nuk është as Rama e as vetë Saliu.

Por më i rëndësishëm është modeli që promovon.

Po legjitimoni “zgjidhje” rruge në raport me zgjidhjet politike.

Zgjidhjet e rrugës dhe turmave nuk ngopen vetëm me kokën e Ramës që kërkojnë aktualisht.

Prania besnike është një ofertë amatoreske dhe jo një reflektim serioz i përgjegjshëm.

Çlirojeni Kushtetutën nga 21 Prilli berishian i 2008-ës, garantoni veprimin e drejtësisë për këdo, pavarësisht nga emri apo hierarkia, ndryshoni sistemin zgjedhor nga ngërçi i pabarazisë së shanseve, rivendosni demokracinë në funksionimin e partisë, shërojeni administratën nga korrupsioni etj.!

Nëse zgjidhjet politike bëhen të pamundura, atëherë ’97-a do të duket si ëndërr e bukur.

Turma e tanishme nuk është ajo e viteve ’90.

Situata ndërkombëtare nuk është ajo e ’97-ës.

Europa tashmë është përfshirë nga trazira, halle dhe pikëpyetje të mëdha e nuk e ka ngenë e atij viti.

SHBA-ja nuk foli mbrëmë për të mbështetur një parti apo një individ, por për të mbrojtur Shqipërinë nga kaosi, influencat e huaja hakmarrëse dhe delegjitimimi i procesit politik.

Mos lejoni, duke ndërmarrë reflektim dhe reforma serioze, që turma të kthehet në polici morale mbi ju dhe shumicën qytetare e nesër të urdhërojë mendimin dhe jo thjesht mënyrën e shprehjes së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›