Studentët në protesta kundër rritjes së moshës së pensionit
“Shpëtoni pensionet tona”, kjo është parulla me të cilën kanë dalë në protestë qindra studentë francezë, për të protestuar kundër planeve të qeverisë për të rritur moshën e daljes në pension. Janë studentë, të cilët nuk kanë hyrë ende në tregun e punës dhe ndërkohë janë të shqetësuar me atë që mund të ndodhë kur të vijë koha për ta lënë këtë treg.
Qeveria ka planifikuar që në kuadrin e masave për të reduktuar shpenzimet buxhetore ta ngrejë moshën e daljes në pension nga 60 që është aktualisht në 62, që është ndërkohë ndër më të ulëtat në Europë. Të rinjtë janë të frikësuar se mos Presidenti Sarkozy do të vazhdojë me thellimin e masave të tilla edhe në të ardhmen. Studentët janë mësuar me protesta të tilla në Francë dhe jo rrallëherë edhe ia kanë dalë që t’i ndryshojnë planet e qeverisë. Katër vjet më parë, studentët dolën me parulla në dorë për të kërkuar heqjen e një ligji që kishte të bënte me punësimin e të rinjve dhe me lehtësinë që do t’u jepte ai punëdhënësve për t’i pushuar më lehtë nga puna. Në Francë, në vend të sindikatave, janë studentët ata që ngrihen më shpesh për të protestuar nga një kulturë e vjetër që daton në vitet ‘60. Në njëfarë mënyre protestat e fundit janë edhe një thirrje ndaj qeverisë për të bërë më shumë në lidhje me papunësinë që ka kapur në vend shifrën 9.9%.
#