E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët nga trojet, pranimi me procedurë të veçantë

Sivjet fakultetet do të hapin dyert për 6 mijë studentë të rinj, rreth 10 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë.

Viti i ri akademik 2010-2011, në Universitetin e Tiranës pritet të startojë në muajin tetor, por ajo që vlen të theksohet është fakti se ai do të nisë me një sërë risish.

Një prej tyre janë ndryshimet e procedurave për kandidatët nga trojet. Nëse gjatë përvojave të kaluara ata zgjidheshin nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, tani ata do të pranohen nga vetë universitetet e vendit.

“Pjesa e studentëve nga Kosova, në Universitetin e Tiranës, nuk do të regjistrohet me procedurat e viteve të mëparshme, por marrëveshja midis dy qeverive ka përcaktuar që ata do të aplikojnë drejtpërdrejt në fakultetet e universiteteve shqiptare, atje ku duan. Tashmë përzgjedhja e tyre do të bëhet atje ku zhvillohet në çdo vend të Europës, pra në departamentet që mirëpresin dhe përgatisin specialistë të mirë në fushën e Mjekësisë", tha Dhori Kule, rektor i UT-së.

E megjithatë këto nuk mbeten ndryshimet e vetme.

Risi janë evidentuar edhe në specializimet që realizohen në Fakultetin e Mjekësisë. Ndërkohë rektori nuk lë pa përmendur edhe problemet me të cilat do të përballen studentët dhe pedagogët.

Kjo do të thotë që krahas të rejave, viti i ri akademik pritet të ketë edhe “avari” të karaktereve të ndryshme, ku më problematike mbetet mungesa e auditorëve ku do të zhvillohen seminaret dhe leksionet.

Kule tha se ndërtimi i kampusit deri përpara fillimit të këtij viti akademik do të kishte qenë përgjigjja më e mirë për zgjidhjen e kësaj situate, por siç duket edhe kësaj here ai ka mbetur një premtim i thjeshtë.

“Ndërkohë, ndryshimet e ligjit të ri të arsimit, të sapomiratuar, do të sjellin një riformatim të kurrikulave akademike.

Në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë duhet që kurrikulat e ciklit të dytë t’i riformatojmë, pasi ka një klasifikim të ri të masterave", tha Kule.

Për sa i përket stafit pedagogjik, ai shtoi se edhe për këtë vit do të ketë rekrutim të pedagogëve të rinj, numër që pritet të arrijë deri në 100.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›