E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët tani më pak kredite për të kaluar vitin

28/10/2011  Ndryshon rregullorja për studimet në Universitetin e Tiranës

Shtohet një tjetër sezon testimesh për ata që rrezikojnë hyrjen në diplomë

Studentëve të fakulteteve në Universitetin e Tiranës tashmë do t’u kërkohen më pak kredite për të kaluar vitin akademik. Pas debateve dhe protestave të vazhdueshme të bëra nga studentët për numrin e krediteve të grumbulluara gjatë vitit apo dhe sezonet e provimeve, Senati i UT-së në mbledhjen e zhvilluar gjatë ditës së djeshme ka provuar edhe ndryshimet e reja që do të ketë rregullorja e studimeve. Konkretisht, ndryshimet konsistojnë në mënyrën e kalimit nga njëri vit në tjetrin, ku për kalimin nga viti i parë në atë të dytë nuk do të nevojiten më detyrimisht 30 kredite, por vetëm 20. Njëkohësisht në rregullore është konfirmuar që kalimi nga viti i dytë në të tretin do të arrihet ku studenti të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite dhe jo 90, sa ishte më parë. Gjithashtu dekanët përfaqësuesit e Senatit kanë aprovuar edhe shtimin e një sezoni provimesh të mbartura që do të zhvillohet në muajin tetor, duke krijuar kështu më shumë lehtësira, veçanërisht për studentët që janë në prag diplomimi, të cilët kanë ende provime të pamarra, që të mos rrezikojnë hyrjen në mbrojtjen e diplomës. “Kështu, studenti ka të drejtë të japë provime në tri sezone të rregullta të verës, dimrit dhe vjeshtës. Në raste të veçanta me kërkesë të këshillit studentor mund të hapen edhe dy sezone, që më parë ishin në dhjetor dhe prill, ndërsa me ndryshimet shkojnë në tetor dhe shkurt, kundrejt pagesave të caktuara”, - thuhet në rregullore. Këto ndryshime u miratuan në mënyrë kolegjiale me përjashtim dy votave abstenim dhe një kundër, e cila erdhi nga dekani i Fakultetit të Mjekësisë.

Neni 52

Kriteret për kalimin në vitin pasardhës

Studenti kalon nga viti i parë në të dytin kur ka siguruar të paktën 30 kredite.

Studenti kalon nga viti i dytë në të tretin kur ka siguruar të paktën 90 kredite.

Fakulteti i Mjekësisë me propozimin e këshillit të fakultetit mund të caktojë lëndë pa fitimin e të cilave studenti nuk kalon në vitin pasardhës, edhe pse ka marrë 30 kredite.

Studenti i vitit të fundit që në përfundim të vitit rezulton me 30 kredite të pashlyera, ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati përpara sezonit të diplomimit.

Studenti që shlyen këto detyrime lejohet të hyjë në mbrojte të diplomës, në rast të kundër i lind e drejta e diplomimit në sezonin dimrit, ndërkohë që provimet i shlyen në sezonin e vjeshtës.

Si ndryshon neni 52

Kriteret për kalimin në vitin pasardhës

- Studenti kalon nga viti i parë në të dytin kur ka siguruar të paktën 20 kredite.

- Studenti kalon nga viti i dytë në të tretin kur ka siguruar të paktën 60 kredite.

Për raste të veçanta, sipas vlerësimit që i bëhet situatës konkrete, këshilli i fakultetit ka të drejtë të vendosë për ulje të mëtejshme të krediteve.

Fakulteti i Mjekësisë me propozimin e këshillit të fakultetit mund të caktojë lëndë pa fitimin e të cilave studenti nuk kalon në vitin pasardhës, edhe pse ka marrë 30 kredite.

Studenti i vitit të fundit që në përfundim të vitit rezulton me 30 kredite të pashlyera ka të drejtë t’i likuidojë ato në një periudhë të caktuar nga dekanati përpara sezonit të diplomimit.

Studenti që shlyen këto detyrime lejohet të hyjë në mbrojte të diplomës, në rast të kundër i lind e drejta e diplomimit në sezonin dimrit, ndërkohë që provimet i shlyen në sezonin e vjeshtës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›