E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët ftojnë në debat Berishën e Topallin

28/10/2011  PS nis organizimin e tryezave publike. Drejtësia tema e parë

Partia Socialiste starton sot nismën e saj për organizimin e tryezave publike për të shpjeguar në detaje 10 kërkesat e paktit të prezantuar pak kohë më parë nga kreu socialist Edi Rama. Konkretisht është reforma në drejtësi ajo që do të shënojë dhe debatin e parë në këtë nismë. Ndërkohë që nga ana e tij grupi parlamentar i PS-së në tryezën e sotme u ka bërë ftesë veç aktorëve politikë, grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranën zyrtare edhe dy drejtuesve të lartë të shtetit: kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli.

Takimi

Kështu, u bë e ditur se gjatë mesditës së sotme grupi parlamentar socialist, kryesisht anëtarët e kësaj partie në Komisionin e Ligjeve, do të zhvillojnë një tryezë me temë: “Drejtësia në sfidën e integrimit - reflektim mbi rekomandimet e raportprogresit të BE-së”. Kjo tryezë synon zhvillimin e një debati të hapur konsultues lidhur me përgjegjësitë që rrjedhin nga rekomandimet e progresraportit të BE-së për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe nevojën për reflektimin e tyre.

Pjesëmarrja

Referuar formatit të ftesës së drejtuar nga ana e grupit parlamentar të PS-së, mësohet se në tryezë janë të ftuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Komisionit për Heshtjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë, përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pedagogë, ekspertë, avokatë, përfaqësues të grupeve të interesit si dhe të projekteve e organizatave jofitimprurëse vendase dhe të huaja që veprojnë në Shqipëri në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë. Gjithashtu u bë e ditur se një ftesë e tillë, e nënshkruar nga sekretari për çështjet ligjore në PS Fatmir Xhafa, i është drejtuar dhe kryeministrit Berisha, dhe kryetares së Kuvendit, Topalli.

Sqarimi i Ramës

“Do të organizojmë disa tryeza publike, ku do të shpalosim vizionin tonë për paktin për Shqipërinë si gjithë Europa e do të hapim me transparencë e përgjegjësi kombëtare dialogun e domosdoshëm për problematikën e këtij pakti me të gjithë aktorët dhe faktorët, drejtpërdrejtë të lidhur ose të interesuar për këtë proces”, - u shpreh Rama një muaj më parë mbi një iniciativë të tillë. Sipas tij, tryezat do të japin një vizion më të gjerë sesa paragrafët e 10 pikave të paktit. “Të ndajmë me publikun vizonin për Bankën e Shqipërisë, për procesin parlamentar që propozojmë në paktin për Shqipërinë si gjithë Europa, lidhur me reformat e shtetit që kërkojnë 3/5 e votës së Kuvendit, për vetë reformën parlamentare dhe mënyrën se si ne e shohim dhe se si do ta vëmë në jetë pa asnjë dyshim nesër, kur të jemi në qeveri, një parlament funksional sipas standardeve europiane”, - radhiti Rama çështjet që do të trajtohen në tryeza.

Zgjedhjet e PS në bashki e komuna

Kryesia miraton listën e kandidatëve për kryetarë

Partia Socialiste mblodhi dje kryesinë e saj, ku diskutoi dhe miratoi kandidaturat për kryetar në nivel bashkie e komune. Po kështu, në këtë mbledhje u miratuan dhe dy projektet e hartuara nga grupet e punës për ndryshimet në statut dhe programin e ri politik. Ky forum u thirr dje nga lidershipi socialist në respektim të procedurave statutore lidhur me ecurinë e këtij procesi. Referuar pikërisht këtyre rregullave, ky takim i paraprin mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Kombëtare, që pritet të mblidhet në fillimjavë, dhe Kongresit të socialistëve, që do të zhvillohet më 5 nëntor. Që më herët ishte paralajmëruar se do të ishte kryesia e PS-së ajo që do të vendoste lidhur me kandidaturat për kryetar socialist në rang bashkie e komune. Ndaj gjatë procesit të përzgjedhjes së këtyre kandidaturave organizatave socialiste u ishte diktuar urdhri për propozimin dhe delegimin në qendër të më shumë se dy apo tre kandidaturave. Ndërkohë do të ishte mbledhje e djeshme ajo që do të hartonte listën përfundimtare të këtyre kandidaturave. Në bazë të statutit, neni 17 i tij, kryetari i partisë i bashkisë apo komunës zgjidhet nga AS e bashkisë apo komunës me votim të fshehtë dhe kandidatura alternative.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›