E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studenti që kapi gabimet e profesorëve

Gazeta Shqip

Një studenti iu dha detyrë kursi të kryejë nga e para llogaritë e dy profesorëve, për një studim referencë në botën e sotme. Udhëheqësit nga Uashingtoni, Brukseli apo edhe në Tiranë, përmendën këtë studim për të justifikuar politikat e tyre. Por llogaritë e studentit dolën ndryshe…

Ekonomia politike

Ruth Alexander, BBC

grafiku greqia ne krize llogarite studenti

Kursimet dhe reduktimi i borxheve ka qenë fjala kyçe në politikbërjen e vendeve të pasura dhe kjo politikë u zbatua duke cituar shpesh një studim të kryer nga dy ekspertë shumë të njohur. Por ekonomistët në këtë javë, u tronditën nga lajmi se një student pati zbuluar se studimi i ka pasur disa llogari gabim… madje shumë gabim.

Studimi qe kryer nga dy profesorë të njohur të Harvardit, por u zbuluan nga një student që po bënte detyrat e shtëpisë.

Më 4 janar 2010, në hotelin Marriott në Atlanta, u mbajt takimi vjetor i Shoqatës Ekonomike Amerikane. Profesor Carmen Reinhart dhe ish-kryeekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ken Rogoff, prezantuan studimin e tyre të quajtur Rritja në Kohën e Borxhit.

Në këto kohë krize ekonomike, zbulimi i tyre bëri bujë. Ata thanë se rritja ekonomike kthehet negative, në mënyrë dramatike në kohën kur përmasat e borxhit publik të një vendi rriten në mbi 90 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Fjala për këtë studim u përhap me shpejtësi. Politikbërësit kërkuan të dinë më shumë. Po kështu desh edhe studenti Thomas Herndon. Profesorët e tij në Universitetin e Masaçusetsit, Amherst, i patën dhënë një detyrë kursi studentëve merrni një studim dhe shikoni nëse mund të rikryeni llogaritë e tyre. Është një ushtrim i mirë për ata që aspirojnë të bëhen kërkues.

Thomas zgjodhi studimin Rritja në Kohën e Borxhit. Ai studim po debatohej nga të gjithë, por intuita e tij i thoshte se kishte diçka që nuk shkonte te rezultatet.

Disa figura kyçe të botës e përdorën këtë studim si argument për debatin e tyre. A është më mirë të rritet borxhit publik me shpresë se do të rigjallërohet rritja ekonomike dhe do të marrë fund recesioni apo është më mirë të ulim shpenzimet dhe të rrisim taksat për ta vënë borxhin nën kontroll?

Komisioneri i BE-së, Olli Rehn, dhe politikani republikan me ndikim në SHBA, Paul Ryan, që të dy cituan studimin për të argumentuar se borxhi përtej 90 për qind të PBB-së është i dëmshëm dhe se ulja e tij është i domosdoshëm.

Por ndërsa politikanët amerikanë po argumentonin nëse duhej të injektonin më shumë dollarë në ekonomi dhe euro po vuante nga problemet e krijuara nga masat e kursimit, në Britani një qeveri e re premtoi rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve… ndërsa detyra e kursit e Thomas Herndon nuk po ecte hiç mirë.

Nuk ka rëndësi se sa shumë u përpoq ai. Rezultatet e tij dilnin shumë ndryshe nga ato të Reinhart dhe Rogoff.

Shpresat më lanë, thotë ai. Mendova se duhej të kisha bërë një gabim të trashë. Për shkak se unë jam student, shanset qenë se unë duhej të kisha bërë një gabim dhe jo profesorët e Harvardit.

Profesorët e tij qenë të bindur se diçka e kishte bërë gabim.

Mbaj mend që takova një nga profesorët e mi, Michael Ash, i cili në thelb më tha, luaj vendit Tom, nuk është shumë e vështirë ti thjesht duhet ta zgjidhësh këtë.

Kështu, Herdon e rikontrolloi detyrën sërish dhe sërish. Në fund të simestrit, ai ende nuk e kishte zgjidhur problemin, por në këtë pikë, supervizori i tij kuptoi se diçka e çuditshme kishte ndodhur.

Ne patëm këtë problem që nuk po replikonim dot rezultatet e publikuara nga Reinhart-Rogoff, thotë prof. Ash. Dhe kjo gjë na ngeli fiksim, qe me të vërtetë mister.

Kështu, Ash dhe kolegu i tij, prof. Robert Pollin, e nxitën Herdon të vijojë projektin dhe tu shkruajë profesorëve të Harvardit. Në fund, Reinhart dhe Rogoff i dhanë Thomasit dokumentet që ata vetë kishin përdorur për të kryer llogaritë.

Të gjithë thonë se kur sheh, do të thotë që beson, por unë nuk po arrija tu besoja syve të mi, thotë ai.

Thomas thirri të dashurën e tij për të kontrolluar se sytë e tij nuk po gabonin.

Por jo, ai kishte të drejtë. Ai kishte zbuluar një gabim bazë në llogaritje. Profesorët e Harvardit aksidentalisht kishin përfshirë vetëm 15 nga 20 vendet e tyre në llogaritjen e rritjes mesatare të PBB-së të vendeve me borxh të lartë publik.

Australia, Austria, Belgjika, Kanadaja dhe Danimarka mungonin.

Upsss.

Herdon dhe profesorët e tij zbuluan probleme të tjera në studimin Rritja në Kohën e Borxhit, probleme që kishin impakt edhe më të madh mbi rezultatet e tyre të famshme. I pari problem qe që për disa vende, të dhënat mungonin.

Reinhart dhe Rogoff thanë se ata po mblidhnin të dhëna me copa dhe në kohën kur ata prezantuan studimin, të dhëna cilësore mbi ekonominë e pasluftës për Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re thjesht nuk qenë të disponueshme. Në fund të fundit, të dhënat shtesë nuk bënin ndonjë dallim të madh.

Thomas dhe mbikëqyrësit e tij nuk pëlqyen as mënyrën se si dy profesorët i kishin mesatarizuar të dhënat e tyre. Ata thanë se një vit i keq në një vend të vogël si Zelanda e Re, në studim analizohej si po aq i rëndësishëm sa një vit në një vend të madh si Britania e Madhe.

Viti 1951 në Zelandën e Re, kur pati 8 për qind dëme ekonomike, u konsiderua me të njëjtën peshë me një vit të Britanisë së Madhe ku pati rritje ekonomike prej 2.5 për qind pavarësisht borxhit të lartë, thotë Michael Ash.

Mendoj se është një mënyrë e gabuar e ekzaminimit të këtyre të dhënave.

Këtu nuk ka një prerje bardhezi për shkak se interpretimi nuk është i gjithë pranuar. Por pavarësisht kësaj, rezultatet janë me të vërtetë shumë të ndryshme.

Rezultatet u publikuan nga Thomas Herndon dhe profesorët e tij më 15 prill, si një projekt studim. Ata zbulojnë se nivelet e larta të borxhit publik kanë sërish korelacion me norma më të ulëta të rritjes ekonomike por rezultatet më spektakolare të Reingart dhe Rogoff nuk janë më aq spektakolare.

Borxhi i lartë sjell gjithsesi një normë rritjeje më të ulët, por korelacioni është shumë më i butë dhe ka shumë përjashtime nga ky rregull.

Reinhart dhe Rogoff nuk patën kohë për intervistë, por i dhanë BBC-së një deklaratë. Ata thanë: Ne falënderojmë Herdon dhe të tjerë për vëmendjen e madhe që i kushtuan studimit tonë fillestar Rritja në Kohën e Borxhit dhe për faktin që na vuri në dukje detyrimin për të bërë një korrektim të rëndësishëm në grafikun 2 në studim.

Është shumë kthjellues fakti që një gabim i tillë na ka shpëtuar në studim pavarësisht përpjekjeve tona për të mos lejuar gabime të tilla. Ne do të jemi dyfish të kujdesshëm për të shmangur gabime të tilla në të ardhmen. Gjithsesi, ne nuk mendojmë se ky gabim që na ka rrëshqitur prek mesazhin kryesor të studimit tonë.<

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›