E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet e doktoraturës, miratohen 1367 kuota pranimi

03/11/2011  Qeveria miraton tarifën e studimit, që do të jetë 2 800 000 lekë

Përzgjedhja edhe këtë vit do të bëhet nëpërmjet konkurrimit me dosje

Miratohen kuotat e pranimeve për studimet e doktoraturës në universitetet publike për vitin e ri akademik 2011–2012. Pas propozimeve të bëra nga fakultetet mbi kapacitetet e mundshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e ditës së djeshme dhënien e rreth 1367 të drejtave studimore për ciklin e doktoraturës në publik për vitin e ri akademik. Vendimi detajon se në përmbajte të këtyre të drejtave të studimit janë përcaktuar kuota pranimi edhe për kandidatët shqiptarë jashtë trojeve. “Për kandidatët brenda territorit të vendit është përcaktuar të jenë gjithsej 1203 të drejta studimi, ndërsa për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit do të jenë 164 të drejta studimi”, - saktësohet në vendim. Gjithashtu është përcaktuar edhe kostoja që duhet të paguajnë për ndjekjen e studimeve kandidatët që do të pranohen në këto cikle studimi. Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë të doktoratës për çdo institucion publik të arsimit të lartë do të jetë 208 mijë lekë. Ndërkohë për pranimet e këtij viti është saktësuar se tarifa e shkollimit do të paguhet në këste, të përcaktuara nga vetë institucioni publik i arsimit të lartë ku kandidati është shpallur fitues. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga buxheti i secilit institucion publik të arsimit të lartë, pa efekte buxhetore shtesë. Pas miratimit të kuotave fakultetet do të çelin aplikimet, ku do të përcaktojnë edhe procedurën dhe kriteret që kandidatët duhet të ndjekin për t’u pranuar në studimet e doktoratës. Megjithatë, përballë fluksit të kërkesave dhe kuotave të kufizuara që janë miratuar për pranimet, edhe për këtë vit nota mesatare do të jetë kriteri bazë mbi të cilin do të përzgjidhen fituesit. Ndonëse fakultetet ende nuk kanë shpallur zyrtarisht procedurën e aplikimit, konkurrimi edhe këtë vit do të bëhet nëpërmjet dosjes me dokumente që secili kandidat do të dorëzojë në fakultetet përkatëse që do të ofrojnë studimet e doktoraturës.

Ndryshimet për kuotat e masterit

Në mbledhjen e djeshme qeveria ka konfirmuar edhe ndarjen e re të kuotave të pranimit për studimet master, të cilat kanë pësuar rritje. Gjithsej në këto studime do të pranohen rreth 6966 kandidatë, të ndarë sipas kategorive përkatëse. Nga këto kuota 6676 vende do të jenë për pranimet e reja (nga të cilat 6645 kuota për ata brenda vendit dhe pjesa tjetër për trojet), 100 kuota janë aprovuar për programet e dyta të studimit, 100 kuota për transferimin e studimeve, 50 kuota për shtetas të huaj, 20 kuota për ata që nuk shikojnë, 20 kuota të tjera për romët dhe egjiptianët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›