E Shtunë, 31 Tetor 2026

VKM: Albpetroli do të shitet plotësisht

03/11/2011  Qeveria i paraqet Kuvendit draftin ligjor mbi procedurat e privatizimit të shoqërisë

Projektligji javën e ardhshme pritet të diskutohet në komisionet parlamentare

Qeveria ka dërguar dje në Kuvend një ligj të posaçëm për privatizimin e plotë të Albpetrolit. Drafti, që pritet të diskutohet javën tjetër në komisionet parlamentare, ndryshe nga privatizimet e tjera strategjike, parashikon shitjen e 100 për qind të aksioneve të kompanisë së vetme publike të prodhimit të naftës. Në nenin 2 të projektligjit është përcaktuar forma e privatizimit të kësaj shoqërie, e cila do të jetë ajo e transferimit të së drejtës së pronësisë të aksioneve të kapitalit të shoqërisë tek investitorët strategjikë, sipas mënyrës së parashikuar në këtë ligj. Ndërsa në vazhdim të nenit 3, përcaktohet struktura e formulës së privatizimit nëpërmjet “transferimit 100% tek të tretët të së drejtës së pronësisë së aksioneve të kapitalit të shoqërisë”. Në relacionin që i bashkëngjitet projektligjit të Këshillit të Ministrave thuhet se “investitorë strategjikë do të konsiderohen të gjithë personat juridikë që zotërojnë cilësitë e përcaktuara në përkufizimin e dhënë në ligjin për strategjinë e privatizimit të sektorëve të veçantë”. Aktualisht Albpetroli zotëron 1264 puse aktive, që prodhojnë rreth 135 mijë tonë naftë në vit. Drafti i paraqitur nga qeveria në Kuvend përcakton me hollësi edhe mënyrën se si do të shpenzohen paratë që do të arkëtohen nga shitja e Albpetrolit. “Të ardhurat do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve për organizimin e tenderit dhe për veprimtari të tjera që nevojiten në procesin e privatizimit; për pagesën e tarifës së suksesit ndaj shoqërisë së huaj konsulente; për mbulimin e fondeve për trajtimin e punonjësve, ndërsa pjesa që mbetet kalon në buxhetin e shtetit”, - thuhet në draftin ligjor. Për shitjen e tij qeveria, e konsultuar edhe me “Patton Bogss”, ka vendosur që, ndryshe nga privatizimet e tjera strategjike, për Albpetrolin të privatizojë 100 për qind të paketës së aksioneve. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së bashku me shoqërinë “Patton Bogss” do të organizojë procedurat e privatizimit të shoqërisë, në zbatim të këtij projektligji, duke filluar që nga shpallja e ftesës për ofertë.

Shfrytëzimi i naftës

Albpetroli nuk është kompania e vetme që shfrytëzon puset e naftës në Shqipëri. Veç saj në vend prodhojnë naftë edhe disa kompani të tjera private, mes të cilave kanadezja “Bankers Petroleum” dhe kompania “Stream Oil”. Disa nga kontratat koncesionare për shfrytëzimin e naftës kohët e fundit kanë qenë objekt akuzash nga opozita, e cila pretendon për afera korruptive dhe favorizime.

Punonjësit e kompanisë

Aktualisht në kompaninë “Albpetrol” janë të punësuar rreth 4050 të trajnuar dhe të kualifikuar, por që pas privatizimit ende nuk është e qartë mënyra e trajtimit të tyre. Mënyra e trajtimit të këtyre punonjësve, që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit në kuadër të privatizimit të kësaj shoqërie, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në draft.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›