E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet ne detin Adriatik TAP kontrate me tre anije kerkimi

TAP do të nis studimet në detin Adriatik këtë dimër. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të projektit të gazsjellësit. Qëllimi  kryesor është mbledhja e mëtejshme e të dhënave dhe kampioneve për të identifikuar kursin optimal në det të hapur.  
Studimet e ekspertëve të projektit do të jenë të ndryshme dhe do të kryhen në të gjithë vijën e propozuar të tubacionit në det të hapur nga Italia në Shqipëri.  Nga këto sondazhe do të studiohet harta e shtratit të detit, do të identifikohen pengesat e mundshme përgjatë rrugës si dhe do të merren kampione bazë nga fundi i detit.  Mësohet gjithashtu se tre anije janë kontraktuar nga TAP për të kryer të gjitha studimet. Anijet do t’i kryejnë aktivitetet në periudha të ndryshme, që zgjasin nga një deri në tre javë. Një nga këto anije do të jetë e dukshme nga të dy brigjet shqiptare dhe italiane për gati një javë.
Anija do të vendoset gati 1000 metra larg nga bregu italian San Foca në Lece. Të gjitha këto aktivitete janë planifikuar të zhvillohen gjatë muajve dimëror me qëllim shmangien e ndikimit në sezonin turistik veror. Menaxheri i TAP për Italinë  Giampaolo Russo, shpjegon se TAP është ende në procesin e mbledhjes së të dhënave të detajuara për të shënjuar hartën e tubacionit në det të hapur dhe për tu siguruar se rruga e kalimit të tij të jetë e sigurt dhe të ketë sa më pak efekte negative në mjedis. Sipas tij studimet po kryhen nga ekspertët kryesor të projektit në përputhje të plotë me standardet  më të larta ndërkombëtare.
Vëzhgime dhe studime të tjera do të kryhen nga TAP edhe në muajt e ardhshëm, bën me dije komunikata zyrtare e projektit. Harta e TAP në Shqipëri është identifikuar gjatë studimeve të kryera që nga viti 2009. Vëmendje e veçantë gjatë këtyre kërkimeve i është kushtuar shmangies së situatave të ndjeshme natyrore.    Tubacioni në pjesën shqiptare në det të hapur do të ketë një gjatësi prej 60 km dhe tokësore 209 km.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›